Kur xhironte Kujtim Çashku në kalanë e Gjirokastrës me Tinka Kurtin dhe Reshat Arbanën
Dritare.net

Në episodin e radhës të dokumentarit “Kamera e Gjyshit” në DritareTV, mjeshtri i fotografisë Stefan Gajo rikthen një nga historitë më të veçanta nga prapaskenat e kinemasë shqiptare.

Një udhëtim i zakonshëm nga Libohova drejt Gjirokastrës, pas regjistrimit të një koncerti me këngë popullore, shndërrohet papritur në një moment filmi. Mjegulla kishte mbuluar qytetin, ndërsa ndalesa në hotel “Çajupi” bëhet pika e kthesës së një historie që sot rrëfehet me nostalgji.
Aty, Gajo takon Baftjarin, një aktor të teatrit të Gjirokastrës që e priste dhe e përcillte sa herë ekipi shkonte në qytet. Prej tij mëson se në kalanë e Gjirokastrës po xhirohej një film, nga regjisori Kujtim Çashku.
I përgatitur gjithmonë për momente të tilla, ai kishte me vete një kasetë filmi rezervë. Pa humbur kohë, niset drejt kalasë. Me lejen e ekipit të xhirimit, ai fillon të filmojë një skenë ku luanin dy prej yjeve të kinemasë shqiptare, Tinka Kurti dhe Reshat Arbana, duke ruajtur kështu një tjetër fragment të çmuar të historisë së filmit shqiptar.

Mjeshtri i fotografisë, Stefan Gajo, e ndan me shikuesit këtë moment të rrallë nga arkiva e tij historike, nëpërmjet Dritare TV./dritare.net