
Komisioni Rregullator vulos rezultatet e 11 majit!
Dritare.net
Komisioni Rregullator ka vënë sot vulën përfundimtare mbi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Gjatë mbledhjes së zhvilluar në orën 11:30, u miratuan numri i votave, mandatet dhe listat emërore për çdo subjekt zgjedhor në të gjithë vendin. Vendimi u mor me 3 vota pro dhe 2 kundër, duke u përfshirë edhe tabelat me emrat e deputetëve përkatës.
Pas këtij miratimi, presidenti Bajram Begaj do të dekretojë fillimin e legjislaturës së 11-të brenda 10 ditëve nga përfundimi i mandatit të Kuvendit të mëparshëm. Njëkohësisht pritet mbledhja e parë e Parlamentit të ri, që shënon edhe startin zyrtar të legjislaturës së ardhshme katërvjeçare.
Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste fitoi 83 mandate, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore 50 mandate, Partia Socialdemokrate tre deputetë, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat secila.

















