Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Jeta e panjohur e Ali Pashës! Flet Irakli Koçollari!

Jeta e panjohur e Ali Pashës! Flet Irakli Koçollari!

Emisioni i sotëm Shqip nga Dritan Hila në DritareTV iu kushtua figurës historike të Ali Pashë Tepelenës. Studiuesi Irakli Koçollari tregoi disa të vërteta të pathëna nga jeta e Ali Pashës. Ai foli për origjinën e Ali Pashës, si e nisi karrierën e tij, si e ktheu Janinën në Pashallëkun më të madh të Perandorisë Osmane dhe hoqi turqit nëpër administratë dhe struktura policore për t'i zëvendësuar me shqiptarë. Ndiqeni rrëfimin e studiuesit Koçollari për Ali Pashën, njeriun me mendje të jashtëzakonshme!


“Ka pasur një dilemë për ta lidhur Ali Pashën me një orgjinë jo shqiptare, por që është e konfirmuar që është shqiptar. Ali Pasha Tepelena është shqiptar, i lindur në një familje fisnike. Gjyshi i tij ka qenë Myftari, emër të cilin ia vuri edhe djalit të madh. Ai ka qenë gjeneral në Perandorinë Osmane. Ishte familje e pasur. Babai i Aliut kishte titullin e beut, ai ishte shëndetligë dhe vdiq shpejt. Aliun dhe të motrën i la shumë shpejt dhe për ta u kujdes e ëma. Nëna ishte nga Konica, pak përtej Leskovikut, që tani është nën hartën gjeografike të shtetit grek. Mbas vdekjes së të shoqit përballoi një jetë shumë të vështirë. Edhe përdhunimi i saj, nga disa burra nga dy fshatra përreth është i vërtetë. Madje një piktor britanik ka hedhur në tablo momentin kur burrat e mbërthyen, bashkë me dy fëmijë të vegjël.

Ali Pasha e nisi karrierën e tij si dervenxhi (ishin njësitë më të rëndësishme dhe më të mëdha ushtarake ndihmëse osmane, zakonisht përgjegjëse për ruajtjen e rrugëve, urave, vaun e lumit ose kalimeve malore të rëndësishme) dhe kontrollonte zonën e Thesalisë. Ai e njohu mirë edhe jetën e njërës palë, pra të brigandizmit dhe strukturat policore. Si dervenxhi bëhet aq figurë e fuqishme sa njohu edhe krizat që kalonte Pashallëku i Janinës, që përfshinte Janinë, brigjet e Jonit, deri në afërsi të Gjirokastrës. Në këtë kohë kishte një administratë otomane. Ai largoi strukturat dhe administratat osmane dhe vendosi shqiptarë. Strukturat dhe forcat policore otomane i ktheu me trupa shqiptare. Në këtë kohë kemi dhe një marrëveshje ndërkombëtare mes Ali Pashës dhe Carit të Rusisë. 30 vjet përpara se të nisë betejën me Portën e Lartë. Në marrëveshje thuhej: “Unë do të shkëputem, por kërkoj nga ju si fuqi e madhe të më mbështesni ushtarakisht deri sa unë të zëvendësoj trupat osmane nga radhë e policisë.” Shtrirja e Pashallëkut të tij nisi nga Elbasani, mori Vlorën, mori Gjirokastrën, Delvinën dhe pastaj gjithë Peloponezin dhe shkoi deri në fshatrat e Athinës, u shtri deri në afërsi të Selanikut. Tentoi ta marrë dhe Selanikun, por u kërcënua disa herë nga sulltani. Por marrja e Beratit i hapi shumë probleme sepse u mobilizuan francezët, që ishin kundër Ali Pashës. Pashallëku i Janinës në atë kohë përfshinte 1.5 milionë banorë. Ishte pashallëku më i madh dhe më i fuqishëm në Perandorinë Osmane. Shumicën demografike e zinin shqiptarët.
Ali Pasha i përzgjodhi njerëzit që i vuri në administratë. Ishte një njeri i mendjes. Është njeriu i parë që hapi dy shkolla në Janinë, me karakter laik. Ndër këto dy shkolla është edhe “Zosimea”, në të cilën u shkolluan edhe rilindësit e mëdhenj, si Naim Frashëri, Kristoforidhi. Në këtë shkollë ishin mësues që kishin studiuar në Perëndim. Pati nga ata që i mbështeti financiarisht për të studiuar në shkollat italiane. Në këtë kohë kemi dhe botimet e para. Ali Pasha Tepelena mblidhte intelektualët dhe bënte biseda për të nxitur e ushqyer dijen dhe arsimin. Edhe këshilltarët i kishte të huaj, një milanez, këshilltarin ushtarak e kushte nga Britania e Madhe, kishte edhe këshilltarë francezë. Ama i dëgjonte. Kryekëshilltari i tij Haxhi Shereti nga Delvina, një figurë e rrallë, i qëndroi besnik Ali Pashës deri në fund të jetës së tij. Pak ditë pas vrasjes së Ali Pashës, e masakruan edhe atë.”, tregon studiuesi në DritareTv./K.C/dritare.ner