
Ilir Meta reagon pas aktakuzës së SPAK: Hetim-fabrikime të mbyllura
Dritare.net
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar publikisht pas njoftimit të aktakuzës nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për çështjet CEZ-DIA dhe lobimin e ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim në SHBA, duke e konsideruar këtë një përmbyllje zyrtare të një procesi të gjatë hetimor të bazuar, sipas tij, mbi “fabrikime”.
“Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019,” deklaron Meta në reagimin e tij, duke nënvizuar se në takimin e fundit me prokurorët, më 27 maj, nuk kishte dalë asnjë element i ri.
Meta thekson se gjatë këtij takimi ai ka kërkuar me forcë dhe në mënyrë zyrtare që hetimi të përqendrohet në dy drejtime: së pari, të zbulohet se kush ka kryer pagesat e paligjshme në emër të LSI-së për kompanitë lobuese në SHBA; dhe së dyti, të hetohet se kujt i janë dërguar për miratim faturat e dërguara nga kompania GSIS në Partinë e Lirisë.
Sipas tij, mosadresimi i këtyre dy çështjeve nuk është çështje e paaftësisë profesionale apo mungesës së provave, por pasojë direkte e një ndikimi politik në procesin hetimor.
“Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh,” thekson Meta.
Reagimi i tij vjen një ditë pas daljes së avokatit Kujtim Cakrani, i cili po ashtu hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar si të pambështetura dhe të motivuara politikisht.
Postimi i plotë i Metës!
"Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019.
Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut.
Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS.
Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh."/K.C/dritare.net

















