
Debati për Kodin e ri Penal, reagon kryeministri Rama!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X lidhur me debatet dhe kritikat që janë ngritur për draftin e ri të Kodit Penal, duke i konsideruar si të ekzagjeruara shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes dhe shtypjes së opozitës politike apo mediave.
“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell,” shkruan Rama, duke theksuar se dokumenti është hartuar nga ekspertë të fushës dhe është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur sa më shumë opinione në mënyrë demokratike dhe transparente.
Sipas Kryeministrit, shqetësimi real për lirinë në Shqipëri nuk lidhet me ndonjë “regjim” apo me draftin e kodit të ri, por me “masën domethënëse të atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj.”
Reagimi i plotë i Ramës!
"Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij. Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj.", shkruan kryeministri.
Deklarata e Ramës vjen në një kohë kur një pjesë e shoqërisë civile, mediave dhe opozitës kanë shprehur dyshime dhe kritika për përmbajtjen e disa neneve në draftin e ri të Kodit Penal, të cilat sipas tyre mund të përdoren për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe protestës./K.C/dritare.net

















