
Mësoje e provoje, pastaj fol për supën e famshme përmetare, shqeto!
Dritare.net
A ka njeri qe nuk e njeh e nuk e gatuan?
Emri i kësaj supe më sjell ndër mend fjalën greke sqeto e cila përdoret në Greqi zakonisht për të porositur kafen pa sheqer. Njëkohësisht kuptimi i fjalës sqeto ne greqisht është diçka e pastër, e thjeshtë, e papërzier. Fiks si kjo supa, që e merr shijen nga mishi i njomë i qengjit apo kecit sepse nuk ka shumë përbërës të tjerë. Mjafton të keni mish të mirë e do kënaqeni nëse e provoni.
Mesa jam në dijeni, nuk ka një supë të tillë në Greqi, kështu që vetëm emrin duhet të kemi huazuar.
E kam parë në versione me kos, e me qumësht. Por dhe vetëm me lëngun e mishit siç e gatuajmë në familjen tonë (nuk jemi përmetarë, kështu që na e bëni hallall ndryshimin në përgatitje). Për këtë supë rezervoheshin copat jo aq të mira të mishit, ndonjë zhape, ndonjë copë e vogël me kockë që mbetej mbasi priteshin racionet e mira për gjellë. Zakonisht gatuhej për fundjavë dhe shoqërohej dhe me ndonjë byrek.
Për supën shqeto na duhen:
500-600 gr mish qengji ose keci
Dy lugë gjelle miell
1 lugë gjelle vaj e një lugë gjelle gjalpë
Një tufë majdanoz
Një e verdhë veze
Lëngu i gjysmë limoni
Kripë
Piper i zi
Përgatitja:
Ziejmë mishin në ujë me kripë. Në presion zien për 20 minuta. E nxjerrim mishin nga tenxherja e pasi ftohet e ndajmë në copa të vogla duke ia hequr kockat.
Në një tenxhere hedhim vajin dhe gjalpin dhe skuqim pak dy lugë miell. Shtojmë lëngun e mishit duke përzier me një tel vezësh që të mos mbetet mielli kokla kokla. E ziejmë disa minuta sa të trashet lëngu dhe shtojmë majdanoz të grirë dhe copat e mishit. Edhe dy tre minuta në zjarr dhe e heqim.
Përziejmë lëngun e limonit me të verdhën e vezës. Marrim një garuzhde nga lëngu i supës dhe e shtojmë tek veza me limon. Pastaj e hedhim vezën me limon në tenxheren me supë dhe e përziejmë mirë. Shtojmë dhe piper të zi te sapobluar.
Marrë nga Instagrami- Si Shijon
View this post on Instagram

















