Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Avokati i Ilir Metës reagon pas aktakuzës së SPAK: Zero korrupsion, zero pasuri të paligjshme

Avokati i Ilir Metës reagon pas aktakuzës së SPAK: Zero

Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka reaguar për mediat pas seancës në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku klientit të tij iu komunikua zyrtarisht aktakuza lidhur me çështjet CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së në SHBA.

Sipas Cakranit, komunikimi i akuzës nuk solli asnjë të re dhe prokuroria nuk ka dhënë ende përgjigje për kërkesën kryesore të mbrojtjes: të identifikohet kush ka kryer pagesat për lobimin në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“Nuk ka asnjë gjë të re për çështjen CEZ-DIA apo për lobimin. Zoti Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe ka kërkuar nga prokuroria hetime të thelluara për të zbuluar kush ka kryer pagesat. Ata s’kanë asnjë informacion për këtë,” deklaroi avokati.

Ai theksoi se mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për mungesën e provave konkrete që e lidhin Metën me akuzat për pastrim parash apo korrupsion.

“Akuzat janë thuajse të rrënuara. Çështja CEZ-DIA ka vite që hetohet dhe tani është përmbledhur në vetëm 30 faqe. Ndërkohë që ne kemi 116 fashikuj, afro 60 mijë faqe dokumente dhe prova që tregojnë se zoti Meta nuk ka asnjë pasuri të paligjshme, asnjë gjurmë korrupsioni,” shtoi Cakrani.

Sipas tij, shumica e verifikimeve janë kryer në banka dhe institucione financiare të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rezultatet kanë qenë të pastra.

“Meta ka zero korrupsion dhe zero pasuri të vendosur nga korrupsioni,” theksoi avokati.

Ai konfirmoi se procesi do të ndiqet në rrugë gjyqësore normale dhe se e gjithë seanca e sotme ka qenë e qetë, pavarësisht natyrës së akuzave.

“Nga ana ligjore do të ndjekim çdo procedurë të rregullt. Por kjo çështje nuk mund të ndahet nga aspekti politik, është e qartë që kemi të bëjmë me një proces të ngarkuar politikisht,” përfundoi Kujtim Cakrani./K.C/dritare.net