
Çfarë loje po luan Rusia? Ja lëvizja e fundit e Putinit me nëndetëset!
Dritare.net
Kremlini ka minimizuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur dy nëndetëse bërthamore pranë Rusisë, duke deklaruar se Moska nuk dëshiron të përfshihet në polemika. Zëdhënësi Dmitry Peskov theksoi se nëndetëset amerikane janë gjithsesi në gatishmëri luftarake dhe hodhi poshtë idenë e ndonjë përshkallëzimi ushtarak.
“Po diskutohen çështje shumë të ndërlikuara dhe delikate, që shumë njerëz i perceptojnë emocionalisht,” tha Peskov, duke shtuar se retorika bërthamore duhet përdorur me shumë kujdes.
Ky reagim vjen pas urdhrit të Trump javën e kaluar për të vendosur nëndetëset “në rajonet e duhura”, si kundërpërgjigje ndaj deklaratave që ai i quajti “shumë provokuese” nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev. Trump nuk sqaroi nëse nëndetëset janë të pajisura me armë bërthamore.
Peskov shmangu komentet për deklaratat e Medvedevit, duke theksuar se politika e jashtme ruse përcaktohet vetëm nga Presidenti Vladimir Putin. Medvedev nuk ka reaguar ndaj Trump-it dhe nuk ka qenë aktiv në rrjetet sociale pas postimit të debatueshëm.
Ndërkohë, marrëdhëniet SHBA-Rusi, që u përmirësuan fillimisht me ardhjen e Trump në pushtet në janar, janë tensionuar sërish kohët e fundit. Trump dyshon se Putin nuk është i sinqertë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila nisi në shkurt 2022 me pushtimin e plotë të këtij vendi nga Rusia. Trump ka vendosur një afat të ri për paqe: deri më 8 gusht, përndryshe ka paralajmëruar sanksione të rënda tregtare kundër eksporteve ruse të naftës.
Pavarësisht tensioneve, komunikimi mes dy vendeve vijon. Sipas mediave ruse, i dërguari amerikan Steve Witkoff pritet të vizitojë Moskën të mërkurën./K.C/dritare.net

















