
600 zyrtarë të lartë izraelitë i shkruajnë Trump-it: Ndaloje luftën në Gaza, shpëto të mbijetuarit
Dritare.net
Një grup prej afro 600 zyrtarësh të lartë të sigurisë izraelite në pension, përfshirë ish-drejtues të agjencive të inteligjencës, i kanë dërguar një letër presidentit amerikan Donald Trump duke i kërkuar që të ushtrojë presion mbi Izraelin për t’i dhënë fund menjëherë luftës në Gaza.
“Në vlerësimin tonë profesional, Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik për Izraelin,” thuhet në letrën e zyrtarëve.
“Besueshmëria juaj për shumicën dërrmuese të izraelitëve rrit ndikimin tuaj për të ndikuar kryeministrin [Benjamin] Netanyahu dhe qeverinë e tij në drejtimin e duhur: për t’i dhënë fund luftës, për të kthyer pengjet dhe për të ndalur vuajtjet,” theksojnë ata në apel.
Apeli i tyre vjen ndërkohë që Netanyahu po përpiqet të zgjerojë operacionet ushtarake në Gaza, në një kohë kur bisedimet e ndërmjetme për armëpushim me Hamasin kanë ngecur.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng. Sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, mbi 60,000 persona janë vrarë nga fushata ushtarake e Izraelit që prej asaj dite. Vetëm të hënën, raportohen të paktën 94 viktima, përfshirë dhjetëra të vrarë nga sulmet ajrore izraelite. Ministria shton se 24 persona të tjerë janë vrarë teksa kërkonin ndihma humanitare – një skenë që është bërë thuajse e përditshme muajt e fundit.
Megjithatë, këto raportime mbeten të vështira për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur, pasi Izraeli ka ndaluar hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza.
Përveç dhunës, territori po përjeton një krizë të rëndë humanitare, për shkak të kufizimeve të rënda të vendosura nga Izraeli për ndihmat që lejohen të futen në Gaza. Ministria e shëndetësisë atje njofton se 180 persona, përfshirë 93 fëmijë, kanë vdekur nga kequshqyerja që nga fillimi i luftës.
Agjencitë e OKB-së kanë paralajmëruar se “skenari më i keq i urisë është duke ndodhur” në Gaza./K.C/Dritare.net

















