
Korrupsioni zgjedhor, SPAK çon për gjykim kandidatin e PD-së
Dritare.net
Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj pesë personave të akuzuar për blerje votash në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë. Katër prej tyre – Engjëll Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi – akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, ndërsa Shkëlqim Hoxha, ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, akuzohet për moskallëzim të veprimtarisë së paligjshme, megjithëse ishte në dijeni të saj.
Sipas SPAK, të pandehurit kanë siguruar bileta udhëtimi për dhjetëra persona që jetonin jashtë vendit, për t’i sjellë në Shqipëri me qëllim që të votonin në favor të Hoxhës. Çështja është ndërtuar mbi bazën e hetimeve të Policisë së Durrësit dhe është bashkuar me një tjetër procedim penal për shkak të lidhjes mes fakteve dhe personave të përfshirë.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykim të çështjes penale nr. 161 të vitit 2023, në ngarkim të shtetasve:
Limon Shala
Fatmir Thaçi
Florant Saraçi
Engjell Cara
Shkëlqim Hoxha
Në përfundim të hetimeve të kryera, të mbështetura në prova dhe analiza ligjore, ka rezultuar se:
Shtetasit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi janë vënë nën akuzë për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50, germa “h” të Kodit Penal.
Shtetasi Shkëlqim Hoxha akuzohet për veprën penale“Moskallëzim i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Hetimet treguan se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm (të dokumentuara në 64 raste), me qëllim që të votonin në favor të kandidatit, Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Gjithashtu, ka rezultuar se shtetasi Shkëlqim Hoxha ishte në dijeni të kësaj veprimtarie të paligjshme, më konkretisht se shtetasit Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të angazhuar në sigurimin dhe ofrimin e biletave të udhëtimit për persona të ndryshëm, me qëllim pjesëmarrjen në votime si dhe dhënien e votës në favor të tij, për shkak të cilësisë së tij si kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë Rrogozhinë Ai nuk e ka kallëzuar në organet kompetente, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, konkretisht nenin 300 i Kodit Penal.
Procedimi penal nr. 161/2023 është bashkuar me procedimin penal nr. 162/2023, duke u hetuar si një çështje e vetme, për shkak të përputhjes së fakteve dhe subjekteve nën hetim.
Regjistrimi i procedimeve është bërë mbi bazën e referimeve të përcjella nga strukturat hetimore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës./K.C/dritare.net

















