
Trump-it nuk i pëlqen raporti i punësimit, shkarkon shefin e statistikave!
Dritare.net
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka shkarkuar papritur drejtuesen e një prej institucioneve më të rëndësishme ekonomike të vendit, vetëm disa orë pasi u publikuan të dhëna zhgënjyese për punësimin në vend.
Erika McEntarfer, komisare e Byrosë së Statistikave të Punës (BLS), u pushua nga detyra pas publikimit të një raporti që tregonte dobësi në tregun amerikan të punës, çka rriti shqetësimet për efektet negative të politikave të tarifave të vendosura nga administrata Trump.
Në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Trump akuzoi McEntarfer-in se kishte “MANIPULUAR” qëllimisht shifrat e punësimit për të “dëmtuar republikanët dhe mua personalisht”. Ai shkroi se të dhënat ishin të fabrikuara dhe të njëanshme, duke hedhur akuza të rënda ndaj besueshmërisë së institucioneve statistikore të vendit.
Ky veprim i paprecedentë i Shtëpisë së Bardhë ka ngjallur kritika të forta dhe shqetësim për politizimin e të dhënave zyrtare. Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, deklaroi se “Presidenti është një udhëheqës i keq, i cili fajëson të tjerët për statistikat e dobëta”, duke e akuzuar Trump-in se “qëllon mbi lajmëtarin”. Ekspertët e pavarur kanë paralajmëruar se ky vendim mund të minojë besimin e publikut tek institucionet dhe të dëmtojë rëndë integritetin e të dhënave ekonomike në SHBA./K.C/dritare.net

















