
Armando Broja kalon përherë te Burnley në Premier League!
Dritare.net
Armando Broja nuk do të jetë më pjesë e Chelsea-t. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka dhënë miratimin për t'u larguar përfundimisht nga klubi londinez dhe do t’i bashkohet Burnleyt, duke vijuar karrierën në elitën e futbollit anglez.
Lajmi është konfirmuar nga gazetari i njohur italian, Fabrizio Romano, i cili raporton se Broja ka pranuar kushtet e transferimit të përhershëm dhe pritet që brenda orëve të ardhshme të udhëtojë drejt klubit të ri. Pas kryerjes së vizitave mjekësore, ai do të firmosë një kontratë afatgjatë me Burnleyn.
23-vjeçari, i formuar në akademinë e Chelsea-t, ka pasur dy vite të vështira pa gola të shënuar, për shkak të dëmtimeve dhe huazimeve jo të suksesshme te Fulham dhe Everton. Megjithatë, Burnley ka besuar te potenciali i tij dhe ka vendosur të investojë për shërbimet e sulmuesit shqiptar.
Chelsea, pavarësisht se kishte kontratë me Brojën deri në vitin 2028, vendosi ta nxjerrë në shitje dhe e vlerësoi me 25 milionë euro. Burnley ka pranuar të paguajë këtë shumë, duke finalizuar kështu marrëveshjen.
Broja ka qenë në vëmendje edhe të klubeve si PSV Eindhoven, Stuttgart dhe RB Leipzig, por ka zgjedhur të qëndrojë në Premier League, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij me Burnleyn.
Ky transferim shihet si një mundësi e artë për Brojën që të rigjejë formën dhe të rifitojë vendin e tij edhe në Kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjeve të rëndësishme ndërkombëtare./K.C/ dritare.net

















