Na ndiqni edhe në

Shëndet

Si duhet të lahemi në det? Këshillat e mjekes për të shmangur rreziqet për zemrën dhe trupin

Si duhet të lahemi në det? Këshillat e mjekes për të

Larja në det është një nga kënaqësitë më të mëdha të verës, por nëse nuk bëhet në mënyrën e duhur, ajo mund të kthehet në rrezik, sidomos për ata që vuajnë nga sëmundje kardiake, tension i lartë, apo probleme të frymëmarrjes.

Mjekja kardiologe, Dr. Ëngjëllushe Hasani, jep disa këshilla të rëndësishme për mënyrën e saktë dhe të sigurt të larjes në det, për të përfituar shëndet pa pasur pasoja negative.


Mos hyni menjëherë në ujë të ftohtë!
Sipas Dr. Hasanit, një nga gabimet më të zakonshme është hedhja e menjëhershme në ujë, sidomos kur trupi është i nxehtë pas qëndrimit në diell.

“Kur trupi është i nxehur dhe papritur zhytet në ujë të ftohtë, ndodh një shok termik për sistemin kardiovaskular,” – shpjegon ajo.
Kjo gjendje mund të shkaktojë ngushtim të enëve të gjakut, rritje të menjëhershme të tensionit, madje dhe çrregullime të ritmit të zemrës, sidomos te personat që vuajnë nga hipertensioni apo kanë histori me probleme në zemër.



Hapat për larje të sigurt:
Qëndroni nën hije ose freskoni trupin për disa minuta para se të futeni në det.
Shplani gradualisht trupin me ujë deti: filloni me këmbët, më pas krahët, kraharorin dhe qafën.
Pasi trupi të jetë përshtatur me temperaturën e ujit, mund të futeni ngadalë, pa u zhytur menjëherë.
Shmangni larjen menjëherë pas ngrënies ose me stomakun bosh, trupi ka nevojë për energji të balancuar për të menaxhuar ndryshimet termike dhe fizike.
Mos notoni vetëm nëse vuani nga sëmundje kronike, gjithmonë pranë dikujt që mund të ndihmojë në rast emergjence.


Kujdes me fëmijët dhe të moshuarit
Dr. Hasani veçon edhe fëmijët dhe të moshuarit si kategori të rrezikuara nga ndryshimet e papritura të temperaturës.

“Trupi i fëmijëve dhe të moshuarve nuk e përballon njësoj ujin e ftohtë pas ekspozimit në vapë. Duhet kujdes maksimal në mënyrën si futen në ujë dhe sa qëndrojnë atje,” thekson ajo.

Deti është shëndet, nëse e përdorim me kujdes
Uji i detit ka shumë përfitime për trupin, ndihmon në qarkullimin e gjakut, forcon muskujt, pastron lëkurën dhe relakson sistemin nervor. Por duhet të dimë si ta përdorim me zgjuarsi./K.C/dritare.net