Na ndiqni edhe në

Albania All Inclusive

Përmeti, qyteti që i mori zemrën fotoreporterit britanik

Përmeti, qyteti që i mori zemrën fotoreporterit britanik

Përmet, qyteti i trëndafilave, nuk është vetëm një emër qyteti në hartën e Shqiperise. shqiptare. Është një gjendje zemre. Kështu e përshkruan Robert Hackman, fotograf dhe gazetar britanik, i cili pas dhjetëra udhëtimesh në Ballkan, zbuloi në këtë qytet të vogël të jugut shqiptar diçka që nuk e kishte gjetur askund tjetër: një ndjenjë qetësie të thellë, të pastër dhe të pandryshuar.

Nga momenti kur ndoqi rrjedhën e lumit Vjosë nga Tepelena, e deri kur preku gurët e Teqesë së Ali Postivanit, Përmeti iu shfaq si një përzierje e mrekullueshme mes natyrës, historisë dhe shpirtit njerëzor. Vjosa, lumi i fundit i egër i Europës, i shpallur tashmë park kombëtar, i dha udhëtimit të tij një sens lirie të papërshkrueshme. Ndërsa fjetja në një hotel të thjeshtë si White Villa, i kujtoi se komoditeti më i madh është ndjesia se je i mirëpritur.

Por ajo që e bëri Robertin të bjerë në dashuri me Përmetin ishte diçka më e thellë: fryma e tolerancës fetare dhe thellësia shpirtërore e bektashizmit. Takimi me Kelin, rritur me nënë ortodokse dhe baba bektashi, e frymëzoi. “Bektashizmi është një fe që të përqafon,” tha ai. “Më mësoi se rëndësi ka të jesh njeri i mirë.”

Teqeja e Ali Postivanit, e ndërtuar në fund të shekullit XVIII dhe e rindërtuar pas shkatërrimit nga regjimi komunist, nuk ishte thjesht një monument fetar për të, por një fener i historisë dhe përulësisë. Brenda saj, ai gjeti heshtjen që të mëson të dëgjosh. Dhe për herë të parë, ndezi qirinj për shqiptarët e të gjitha feve, për të gjallët e për ata që nuk janë më. “Nuk me ëe era te ndizet shkrepsja, - tha ai. Edhe kur ke qëllime të mira, pengesat janë të pashmangshme. Por gjithmonë ia vlen.”

Në kuzhinën e teqesë, ku gatuhej ashureja për 3,000 vetë, ai kuptoi se bujaria nuk është ceremoni, por zakon i përditshëm. Dhe në turbën, ku pesë baballarë janë varrosur bashkë, kuptoi se respekti për dijen, dashurinë dhe natyrën është guri i themelit i këtij qyteti.

Të nesërmen, rrugëtimi e çoi më tej: drejt Frashërit, vendlindjes së vëllezërve Frashëri – burrat që dhanë gjuhë, identitet dhe liri Shqipërisë. Rruga për atje kalon nëpër Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës, mes peizazheve të mahnitshme, që të ftojnë të ndalesh, të marrësh frymë thellë dhe të kuptosh pse ky vend nuk është thjesht një destinacion turistik, por një truall që të ndryshon. Në shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, Roberti pa historinë e një kombi që është ndërtuar mbi unitetin përtej feve.

Në kthim, ndaloi për drekë te restorant "Trifilia”, një ndër më të njohurit në Përmet. E nisi me “shqeto”, një supë tradicionale me miell, vezë, kos dhe mish qengji, e gatuar me dashuri nga Aldo. “Është e thjeshtë,” tha ai, “por e përsosur.” Dhe, si çdo gjë tjetër në Përmet, kishte shije të kujdesit, të mikpritjes dhe të rrënjëve.

“Përmetin nuk e do thjesht për atë që sheh me sy,” thote Hackman, “por për atë që të ndjen zemra. Është qytet ku çdo gjë është e pastër: ajri, uji, pamja dhe mbi të gjitha – njeriu. Në këtë qytet do kisha dashur të jetoja, kur të iki nga Londra.”/ dritare.net