Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Enea Mekolli humb jetën gjatë operacionit për kapjen e Violand Braçellarit!

Enea Mekolli humb jetën gjatë operacionit për kapjen e Violand

Një operacion i Policisë së Shtetit për kapjen e një personi në kërkim në zonën e Lozhanit, Maliq, u mbyll tragjikisht mëngjesin e së enjtes, ku humbi jetën efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri, 36 vjeç.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 07:30, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatet e Korçës dhe Maliqit, rrethuan një stan në malin Boden, ku dyshohej se fshihej Violand Braçellari, 43 vjeç, person me rrezikshmëri të lartë dhe i shpallur në kërkim.

Policia bëri të ditur se pas thirrjeve për t’u dorëzuar, Braçellari ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve. Si pasojë e të shtënave, humbi jetën inspektori Enea Mekolli dhe u plagos inspektori Edison Adri.

Për neutralizimin e sulmit, forcat e policisë iu kundërpërgjigjën me armë zjarri, duke plagosur Braçellarin, i cili më pas u arrestua.

43-vjeçari rezulton me precedentë penalë. Ai ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa më herët ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për kultivim të bimëve narkotike. Sipas dokumenteve gjyqësore, ai ishte përfshirë në një hetim për trafik droge që prej vitit 2015.

Efektivi i plagosur, Edison Adri, pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Korçës, u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar.

Për ngjarjen reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili shprehu ngushëllimet për familjen e efektivit të vrarë dhe uroi shërim të shpejtë për policin e plagosur. Kreu i qeverisë kërkoi gjithashtu ndëshkimin maksimal për autorin dhe vlerësoi punën e Policisë së Shtetit në luftën kundër personave në kërkim.

Ndërkohë, Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me grupin hetimor, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.