
Nga Mevlan Shanaj
Nuk besoj se ka njeri në Tiranë që ka banuar nga fillimi i viteve ’60-të që nuk e njihte Ilia Tërpinin, me kamera në dorë deri në vitin që na la. Unë e kam njohur rreth viteve ‘57 si mësues i dhënë mbas fotografisë. Ky pasioni i fotografisë e bëri dhe siç thuhej në atë kohë operator në kinostudio. Në fillim të ‘60 e kisha takuar nëpër Tiranë me kamera në dorë dhe ai me krenari më tha se e kishte lënë arsimin dhe tashmë punonte në Kinostudio. Ndodhi që në dhjetor të 1968 me aparat në krah qafë, më ndali para Institutit të Lartë të Arteve më bëri një fotografi e cila më hapi rrugën e ekranit. Më vonë mësova se ashtu si me mua kishte ndodhur edhe me Yllka Mujon, Zhaklina Dhimojani( Mimoza llastica) etj.
Ilia fotografonte pa fund dhe ja u sugjeronte regjisorëve ! Kështu na kishte sugjeruar te Viktor Gjika për “ I teti në bronx” Vite më vonë me miken time të veçantë Aurikën, ish mësuesen nga Progri që ishin martuar me dashuri, më tregonin, për aktoret femra kryesisht, hapnin fotografitë mbi krevat dhe diskutonin se cila duhej për filmin e ardhshëm. Shumë herë kishin fituar ato goca që përzgjidhte Aurika. Me Ilian u takova në filmin e parë “I teti në bronx” . Më dukej si ndihmë e madhe që e njihja dhe sikur kisha një mbështetje. Po Llui , siç i thoshin ishte mik me të gjithë. Mënyra e komunikimit ishte shumë miqësore dhe çdo kush e konsideronte të afërt. Ne u lidhëm edhe më shumë gjatë filmit! Më pas rastisëm përsëri te “ Rrugicat që kërkonin diell”.
Sigurisht të dy kishim fituar eksperienca me filmin dhe miqësitë ishin bërë familjare! Nga çdo takim me Ilian merrje një ngarkesë pozitive dhe ndiheshe më i mirë pas ndarjes me të. Nuk mungonte humori me shprehjen e tij “ se gjetkë e gjetkë…..” Ilia ishte i dashuruar me të bukurën dhe durimin. Kalonin vitet dhe përsëri u takuam te filmi” Ballë për ballë” pra të dy ishim në një udhëtim për mes ekranit dhe kurdoherë ndjeja miqësinë e çiltër! Ishim në dasmën e djalit me një franceze, aty kuptova se edhe me vajzën dhe familjen e saj Ilia ishte bërë njësh sikur ishin në miqësi prej shumë vitesh. Ishte dhunti e tij afërsia që të krijonte. Në dasmë nuk la njeri pa i dhënë ngrohtësi dhe pa bërë fotografi! Nuk dinte Ilia çfarë është lodhja apo mërzia! Nga i buronte ajo energji!!! Pasi i vunë çelësin kinostudios Ilia u përshtat me kamerat elektronike dhe deri në fund rendëte sa andej këtej. I vajta në studion e tij për një intervistë në dokumentarin për Xhanfise Kekon, më priti me shumë kënaqësi pasi donte të tregonte për Xhanon! Më dha një intervistë shumë të veçantë, ku më shumë bisedoi se sa të "pozonte”.
Kudo kur takoheshim do më sillte ndonjë fotografi që kishte fiksuar nëpër takime të ndryshme. Kishte një kujdes jo vetëm prej miku, po më shumë se sa mund të mendohet. Ilia më kujtonte filmin “ Njeriu me kamera”. Nga fundi Aurika u rëndua dhe zuri shtratin po Llui i shërbeu me dhimbje pa më të voglën ankesë! Më ka mbetur model në kokë njeriu punëtor fjalë mirë Llui! Kam qenë i përkëdhelur nga miqësia me një njeri që e quaja Njeri që në krye të herës! Paskam mall për mirësinë e tij!/M.T/dritare.net

















