
Artan Tafani zbulon se sa u pagua për vrasjen e Albi Bashaliut: Lekët na i dha babai i Laertit
Dritare.net
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është mbajtur këtë të mërkurë seanca e dytë e dhënies së dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka rrëfyer përfshirjen e tij në një sërë krimesh të rënda, në kuadër të grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.
Në vijim të dëshmisë së dhënë një javë më parë, Tafani ka detajuar për gjykatën mënyrën sesi është organizuar dhe realizuar vrasja e Albi Bashaliut.
“Pas vrasjes së Elton Mermalit, kemi bërë edhe vrasjen e Albi Bashaliut. Vrasja do bëhej në Peqin për nder të Lorenc Lalës, si hakmarrje për djemtë e tij”, – deklaroi Tafani para togave të zeza.
Ai tregoi se gjatë kohës që ndodhi vrasja ishte fshehur me Laertin në një banesë me qira në zonën e Astirit. Sipas tij banesa ishte marrë me qira në emër të një shoqeje të të dashurës së Laertit.
Tafani ka treguar me detaje edhe logjistikën e ngjarjes, nga shkuarjet në Peqin me makina me qira për të identifikuar viktimën deri tek ekzekutimi dhe largimi nga vendngjarja.
“Viktima ishte në një makinë që shiste pula zogj. Mora një makinë me qira në rrugën e Elbasanit dhe shkova në Gjoçaj të Peqinit për të takuar të zotin e hallit, një djalë që e mora në Rrogozhinë. Ai do tregonte ku kishte shtëpinë Albi Bashaliu dhe ku pinte kafenë. Këtij djali i kishin vrarë të atin. Më herët kam qenë me Lulzimin dhe Laertin në fshatin Gjoçaj për të parë vendin. Edhe atëherë ishim me një makinë me qira, që i merrja me një patentë false. Kishim një garazh në Astir, të Erisiano Abedinit, ku mbanim një ‘Audi’ për punë, domethënë për vrasje”- tha Tafani.
Ai zbulon se armën e krimit e çmontuan dhe e hodhën pjesë pjesë nga makina teksa po ktheheshin me makinë në Tiranë.
“Pasi e kryem atentatin, makina nuk ndezi. Mora një tjetër mjet tip Benz gri me targa greke. Në kthim, kaluam nga Kavaja dhearmën e çmontuam dhe e hodhëm pjesë pjesë gjatë rrugës. Në Tiranë e lamë makinën dhe u larguam në këmbë”,- vijoi Tafani.
Pas vrasjes, sipas dëshmisë, grupi është shpërblyer me 30 mijë euro, shumë që u soll nga Qamil Haxhiu, babai i Laertit, dhe që u nda në tri pjesë midis Laert Haxhisë, Lulzim Arapit dhe vetë Tafanit.
Ai pohoi se pagesa ishte rënë dakord paraprakisht me një person të identifikuar si “Limi”, me të cilin komunikonte drejtpërdrejt Laerti para ngjarjes./L.F-dritare.net

















