Pse nuk e kontrolloj dot zemërimin! Flet psikologia!
Dritare.net

Përshëndetje Dritare.net dhe Psikologe Enertila
Unë që ju drejtohem sot jam një vajzë e cila po vuaj pasi zemërohem shpejt dhe e vuaj gjatë gjithë ditës. A e kam unë problemin apo nuk di ta kontrolloj veten time? Nuk po e kuptoj këtë situatë. Ju lutem më jepni një këshillë! Faleminderit!
Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet
Të gjitha emocionet lidhen me botën tonë të brendshme dhe mjedisin përreth. Zemërimi ,vjen si një emocion i fuqishëm që shpesh e kemi të vështirë ta kuptojmë. Ndonjëherë na mposht, herë të tjera e mbytim, por rrallë ndalemi për ta dëgjuar. Shkaqet psikologjike të zemërimit janë të shumta dhe personale. Shpesh, ky emocion shfaqet kur ndiejmë se diçka ose dikush po qëndron midis nesh dhe një qëllimi të rëndësishëm. Herë të tjera, zemërimi është një përgjigje ndaj një situate që e përjetojmë si thellësisht të padrejtë. Ndjenja e trajtimit të padrejtë ose të parit të shkelen vlerat tona mund të shkaktojë një reagim shumë të fortë.
Ndonjëherë, zemërimi mund të jetë një mënyrë për të mbrojtur veten kur ndihemi të pasigurt ose të minuar në vetëvlerësimin tonë. Kur zemërohemi, në trupin tonë shpërthen një stuhi e vërtetë Mendja mund të bëhet më e ngurtë dhe më pak e qartë, duke na çuar në reagime impulsive ose në përdorimin e fjalëve agresive për të cilat mund të pendohemi më vonë. Mund të ndihemi vazhdimisht të irritueshëm, të frustruar ose të kemi një ndjenjë të përhapur padrejtësie. Zemërimi, e dashur lexuesja jonë është një emocion njerëzor dhe i domosdoshëm. Megjithatë, ka raste kur ai mund të bëhet një burim shqetësimi kronik. Problemi nuk është vetë emocioni, por mënyra se si e menaxhojmë atë dhe ndikimi që ka në jetën tonë dhe në jetën e të tjerëve. Në këndvështrimin tim e dashur lexuesja jonë hap i parë thelbësor në të mësuarit se si të menaxhojmë zemërimin është të pranojmë se, shpesh, nuk është vetë ngjarja që na bën të zemërohemi, por interpretimi ynë i saj.
Njerëzit që kanë vështirësi të kontrollojnë zemërimin e tyre mund të kenë tendencën të interpretojnë veprimet e të tjerëve në dritën më negative të mundshme, duke nxituar në përfundime të nxituara që, konfirmojnë frikërat e tyre më të thella. Marrja e përgjegjësisë për emocionet tuaja është një ndryshim i vogël, por i fuqishëm që ju rikthen kontrollin. E dashur lexuesja jonë dëgjoni nevojat tuaja, zemërimi shpesh sinjalizon një nevojë të paplotësuar dhe kjo mund të hap prespektiva të reja. Komunikimi në mënyrë të vendosur ju lejon të shprehni
ndjenjat dhe nevojat tuaja qartë. E dashur lexuesja jonë kapërcimi i zemërimit është i mundur. Të mësosh të përballosh zemërimin tënd nuk do të thotë ta shtypësh ose ta eliminosh atë, por të dëgjosh mesazhin e tij dhe ta kanalizosh energjinë e tij drejt ndryshimeve pozitive në jetën tënde. Është një udhëtim vetëzbulimi që të lejon të rifitosh qetësinë dhe të forcosh marrëdhëniet e tua. Nëse ndiheni të mbingarkuar nga zemërimi dhe është e vështirë ta menaxhoni vetë, kërkimi i mbështetjes profesionale mund të jetë një hap transformues. Një psikolog mund t'ju ndihmojë të eksploroni rrënjët e zemërimit tuaj në një hapësirë të sigurt dhe pa gjykime dhe të zhvilloni mjete për ta përballuar atë në mënyrë më të shëndetshme. Uroj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në situatën tuaj.Gjithë të mirat/dritare.net