Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

Nuk gëlltis dot ushqimin. Mjekët thonë është problem psikologjik! Flet psikologia!

Nuk gëlltis dot ushqimin. Mjekët thonë është problem

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila.

Unë që ju shkruaj jam një vajzë që muajt e fundit po përballem me një shqetësim shëndetësor. Problemi im është se kur ha ushqim nuk e gëlltis dot për ta përcjellë. Kam bërë edhe vizita dhe mjekët thonë se e ke problemin psikologjik. Të lutem si ta kaloj frikën nga gëlltitja dhe të rifilloj jetën pa stres e duke u ushqyer normalisht? Faleminderit!

Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet

Përshëndetje lexues të Dritare.net

Frika nga gëlltitja ose frika nga mbytja me ushqim, mund ta shndërrojë një veprim të përditshëm si të ngrënit në një burim ankthi të konsiderueshëm. Kjo gjendje mund të ndikojë thellësisht në jetën tuaj të përditshme, duke ndryshuar zakonet tuaja të të ngrënit dhe duke e bërë të vështirë ndarjen e vakteve me miqtë dhe familjen. Është e rëndësishme të theksohet se nuk është një dobësi, por një sfidë psikologjike. Simptomat më të zakonshme janë ankthi paraprak, shmangia e ushqimeve të ngurta ose të vështira për t’u gëlltitur, përtypje e tepërt, shmangia e situatave sociale që lidhen me ushqimin.

Frika nga gëlltitja mund të ketë origjina të ndryshme. Në disa raste, shkaku kryesor është një ngjarje traumatike që lidhet me gëlltitjen, siç është mbytja. Në raste të tjera, zhvillohet tek njerëzit me një predispozitë ndaj ankthit ose depresionit, ku tendenca për të menduar thellë mund të risë frikën e mbytjes. Ndonjëherë, gëlltitja bëhet shënjestër e një ankthi më të përgjithshëm. Kjo frikë është një gjendje komplekse që mund të përfshijë aspekte mjekësore, ushqyese, psikologjike.

Kjo gjendje mund të lidhet me depresionin ose çrregullime të tjera. Frika intensive nga mbytja gjatë gëlltitjes mund të gjenerojë stres. Nëse frika nga mbytja ose vështirësia në gëlltitje po cënon cilësinë e jetës suaj, ekuilibrin tuaj ushqimor ose marrëdhëniet tuaja shoqërore, ose nëse ndiheni të mbingarkuar nga ankthi ose trishtimi, është koha të kërkoni mbështetje. Në këndvështrimin tim e dashur lexuesja jonë do t’ju sugjeroja si fillim të menaxhonit ankthin. Mësoni teknikat e frymëmarrjes dhe relaksimit për të zvogëluar zgjimin fiziologjik. Mbani një ditar për të ndjekur mendimet dhe emocionet që lidhen me gëlltitjen.

E dashur lexuesja jonë qasuni situatave të frikshme gradualisht, duke filluar me ushqime që janë më të lehta për t’u gëlltitur.Kërko mbështetje nga miqtë dhe familja duke ndarë frikën tënde. Shmangni përdorimin e ritualeve të tepërta të cilat mund ta përkeqësojnë problemin. Përballimi i frikës nga gëlltitja është një udhëtim sfidues, por çdo hap ka rëndësi. Pranimi i vuajtjeve
tuaja është një akt guximi. Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në gjendjen tuaj. Gjithë të mirat/dritare.net!