Kur xhirohej filmi "Natë pa hënë". Madhështia e interpretimit të i Niko Kanxherit!
Dritare.net

Mjeshtri i fotografisë Stefan Gajo sjell për DritareTV pamje të rralla nga prapaskenat e filmit “Natë pa hënë”, duke na kthyer 22 vite pas, në sheshxhirimin e një prej filmave të regjisorit të ndjerë Artan Minarolli.

Janë pamje që sot kanë vlerën e një dokumenti. Përtej filmit që publiku pa në ekran, ato tregojnë atë që ndodhte pas kamerave përgatitjen e aktorëve, punën e stafit, vështirësitë e xhirimeve dhe një kohë kur kinemaja shqiptare bëhej me shumë sakrificë, por edhe me një pasion të jashtëzakonshëm.
Mes tyre spikat Niko Kanxheri. Kamera e ka ruajtur aktorin në çastet kur përgatitet për skenën, por edhe gjatë interpretimit, duke na dhënë sot një dëshmi të rrallë të mënyrës se si ai hynte në personazh.
“Në filmat që ka luajtur Niko, mundet të mos i mbash mend, por rolin e Nikos e mban mend”
Dhe pamjet duket sikur ia japin të drejtën. Me një interpretim të fortë, herë shpërthyes e herë të përmbajtur, Kanxheri kishte aftësinë t’i jepte peshë edhe një skene të vetme. Një prani që nuk kalonte pa lënë gjurmë.
“Natë pa hënë”, ku interpretojnë gjithashtu Eni Jani dhe Lulzim Zeqja, na rikthen kështu jo vetëm te filmi i Artan Minarollit, por te një brez kineastësh e aktorësh që, edhe në kushte të vështira, nuk reshtën së bëri kinema.
Sot, 22 vite më vonë, arkivi i Stefan Gajos hap edhe një herë derën e atij sheshxhirimi dhe na lejon të shohim atë që publiku zakonisht nuk e sheh punën, emocionin dhe njerëzit që qëndrojnë pas një filmi./dritare.net