Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

Kur kam ankth, ndiej shkëndija në sy. Përgjigjet psikologia!

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila,

Unë që ju drejtohem sot jam një zonjë e cila prej shumë kohësh përjeton situata ankthi dhe kjo po ma vështirëson jetën. E them këtë sepse, kur jam e stresuar, ndiej edhe shkëndija drite në sy. Kjo më shqetëson, pasi konsultat që kam bërë deri tani tregojnë se nuk kam probleme me sytë.

Ju lutem, më tregoni diçka që të më ndihmojë ta kuptoj më mirë këtë situatë.

Faleminderit!

Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet:

Përshëndetje, lexues të Dritare.net!

Ankthi mund të shoqërohet edhe me shqetësime të ndryshme trupore dhe vizuale. Kur jemi duke përjetuar ankth, situata mund të shndërrohet shpejt në një vorbull shqetësimi, sepse mendja e shqetësuar tenton të amplifikojë çdo sinjal që vjen nga trupi, duke e shndërruar diçka të pazakontë në një shqetësim të madh.

Kur trupi ndjen një kërcënim real apo të perceptuar, ai aktivizon një përgjigje alarmi që përfshin të gjithë organizmin. Një nga efektet e ankthit intensiv mund të jetë edhe frymëmarrja shumë e shpejtë. Kjo mund të ndikojë në nivelet e dioksidit të karbonit në gjak dhe të shkaktojë ndjesi të ndryshme fizike, përfshirë edhe shqetësime vizuale, të cilat truri mund t’i perceptojë si sinjale të vërteta.

E dashur lexuese, përpara se t’ia atribuoni gjithçka ankthit, ia vlen gjithmonë të përjashtoni shkaqe të tjera përmes një ekzaminimi të syve, në mënyrë që të keni sigurinë e nevojshme për ta adresuar problemin në mënyrën e duhur.

Nëse shkëndijat e dritës shfaqen në një situatë ankthioze, nga këndvështrimi im si psikologe, do t’ju sugjeroja të provoni frymëmarrjen diafragmatike. Thithni ngadalë me hundë, duke e fryrë barkun, dhe më pas nxirreni ajrin edhe më ngadalë përmes gojës. Disa minuta të kësaj teknike mund të ndihmojnë në uljen e aktivizimit të sistemit nervor dhe të asaj ndjesie vigjilence që mund të amplifikojë perceptimet trupore.

Gjithashtu, mbyllini sytë dhe qëndroni për disa minuta në një ambient të qetë. Nëse kaloni shumë kohë përpara ekraneve, provoni të zhvendosni herë pas here shikimin drejt një objekti që ndodhet më larg, në mënyrë që t’u jepni syve mundësi të pushojnë.

Në këndvështrimin tim, do t’ju sugjeroja gjithashtu të kujdeseni për gjumin dhe ushqyerjen, pasi një rutinë e mirë mund të ndihmojë organizmin dhe sistemin nervor të funksionojnë më mirë.

Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në situatën tuaj.

Gjithë të mirat!/dritare.net