Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Karta e shëndetit, ja si mund ta merrni online

Karta e shëndetit, ja si mund ta merrni online
Të gjithë ata që duan të pajisen me kartë shëndeti, do ta kenë më të lehtë falë ndryshimit të procedurave. Tanimë, të pajisur vetëm me një mjet identifikimi, ata mjafton të paraqiten në sportelet e Fondit të Sigurimeve, pranë Qendrës Shëndetësore ku banojnë, dhe në harkun e një minute do të kenë mundësi të tërheqin kartën e shëndetit. Në këtë mënyrë qytetarët nuk do ta kenë më të nevojshme të rendin nga një derë në tjetrën për të marrë dokumentet që nevojiten për nxjerrjen e kartës. E gjitha kjo praktikë eliminohet në saje të informatizimit të këtij shërbimi, i cili bën marrjen në kohë reale të informacionit në disa institucione njëherësh, si në regjistrin e gjendjes civile, regjistrin e pensioneve, regjistrin e kontribuuesve, regjistrin e punëkërkuesve, si dhe regjistrin e ndihmës ekonomike.

Rinovimi i Kartës mund të kryhet online. Procedurat nisin nga portali qeveritar www.ealbania. al. Në kategorinë “e-shërbime”, janë të gjitha shërbimet shtetërore, që ofrohen online. Komanda e duhur është ‘Gjenerimi i kartës së shëndetit”, ku duhet klikuar mbi butonin ‘hyr’. Pasi ndjek të gjitha udhëzimet e shfaqura në sistem, shfaqet butoni ‘përdor’, pas klikimit të të cilit shfaqet varianti online i kartës tuaj të shëndetit, i cili mund të printohet menjëherë në rast se kartës tuaj aktuale i ka mbaruar afati.Por kjo mund të shfrytëzohet prej atyre që e kanë përfituar një herë dhe duan ta rinovojnë kartën, pasi duhet që qytetari të figurojë i regjistruar pranë mjekut të familjes më parë, në të kundërt shërbimi nuk ofrohet.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bën me dije se karta e printuar ka të njëjtën vlerë më atë të emetuar në sportelet e qendrave shëndetësore. Më herët FSDKSH ka bërë me dije se vlefshmëria e librezës shëndetësore është deri në datën 30 prill 2016, ndërkohë që pas kësaj date çdo person duhet të jetë i pajisur me kartë shëndeti për të përfituar shërbimet shëndetësore, që mundësohen prej saj.