Intervista e jashtëzakonshme në shtëpinë e Marie Krajës! Nga Stefan Gajo!
Dritare.net

Në episodin e radhës të serisë “Kamera e Gjyshit”, mjeshtri i fotografisë Stefan Gajo sjell një nga momentet më të çmuara të arkivit të tij, një intervistë të rrallë në shtëpinë e ikonës së muzikës shqiptare, Marie Kraja.
Ky episod është më shumë se një dokumentim televiziv, është një rikthim në kohë, një kujtim i gjallë i një figure që ka shënuar historinë e artit shqiptar dhe të operës.
Në një atmosferë të thjeshtë, por plot emocion, Marie Kraja shfaqet si “zonja e madhe”, ashtu siç është quajtur historikisht, duke ndarë copëza kujtimesh nga jeta e saj artistike dhe personale.
"Unë, të gjitha këngët që i kam të incizuara qysh në radion e vjetër që ka qenë atje. Këtu te e reja s’kam kënduar asnjëherë. Është incizuar vetëm premiera e operës "Mrika", që kam bërë premierën e parë. A ka qenë teknika e dobët, nuk e di çfarë ka qenë atëherë. Orkestra mes publikut, mikrofoni ishte mes orkestrës. Kështu që kur dilte orkestra, e mbyste këngëtaren. Këngëtarja ishte më lart, por e dobët, lodhej. Megjithatë, thonë që ai është incizimi më i mirë. Po të ishte bërë në studio, do të ishte tjetër gjë.", thoshte Marie Kraja, asokohe 82 vjeçe.
Një nga çastet më të veçanta të intervistës është improvizimi i këngës së njohur “Turtulleshë”, ku zëri i saj, edhe pse në një moshë të thyer, mbarte një emocion të thellë dhe një autenticitet të rrallë, duke e kthyer atë moment në një kujtim të gjallë që mbetet gjatë në kujtesë./dritare.net