Brenda festës së 60-vjetorit të Dritëro Agollit!
Dritare.net

Mjeshtri i fotografisë, Stefan Gajo, ka sjellë disa pamje të rralla nga viti 1991, të realizuara gjatë festimit të 60-vjetorit të shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli. Në këto momente të veçanta, shfaqen pranë tij emra të njohur të letërsisë dhe artit shqiptar, të cilët kanë përcjellë urimet dhe vlerësimet e tyre për një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Pamjet sjellin një copëz kujtese nga ajo ditë e veçantë, duke rikthyer atmosferën dhe emocionet e një feste ku ishin mbledhur personalitete të njohura të kohës.
Një moment i veçantë i asaj dite ishte kur Dritëro Agolli mori mikrofonin për të përshëndetur të pranishmit. Mes duartrokitjeve dhe emocioneve të miqve, kolegëve, artistëve e shkrimtarëve të njohur që ishin mbledhur për 60-vjetorin e tij, shkrimtari i madh ndau disa fjalë të ndjera për Shqipërinë, artin, letërsinë dhe rolin e intelektualëve në një kohë ndryshimesh të mëdha për vendin.
Dritëro Agolli: Më lejoni të them edhe unë dy fjalë. Çdo njeri në vendin tim do të ishte shumë i prekur dhe këtë nuk e them sa për zakon. Kjo ditë që jemi mbledhur bashkë në këtë kohë të demokracisë, por edhe në një kohë shumë të turbullt, e bën çdo shkrimtar të mendohet.
Ne, në radhë të parë, jemi shkrimtarë. Jemi ndërgjegjja e popullit. Kryesorja për ne është Shqipëria, njerëzit e saj dhe e gjithë e ardhmja e kësaj Shqipërie.
Të gjithë ne jemi simpatizantë të kësaj apo asaj partie. Të gjithë ne aderojmë në një parti apo në një tjetër. Por kryesorja për ne është partia e së vërtetës, partia e artit, partia e letërsisë, partia e gjithë bashkimit të intelektualëve dhe artistëve për të bërë një punë të përbashkët, që është rindërtimi i Shqipërisë.
Me një pjesë nga moshatarët e mi ne mund të bënim edhe më shumë, por unë ju uroj të gjithëve që të përpiqeni dhe të luftoni vetëm për të vërtetën. Dhe të na shikoni ne aty ku gënjyem dhe të mos na shani shumë, por të thoni: ‘Nuk bënë mirë që gënjyen. Gëzuar!"/dritare.net