
Homazhe për Mark Dodanin, kush ishte oficeri i lart i zbulimit dhe reagimi i tij i fundit
Dritare.net

Lajmin për ndarjen nga jeta të Mark Dodanit, ma dha dje paradite Luan Memishaj. Natyrisht që u trishtova për ndarjen nga jeta e Markut, të cilin e kam njohur prej më shumë se 40 vjetësh. Përmbysja e diktaturës dhe etiketimi i Markut si një nga eksponentët më të rëndësishëm të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk na krijoi asnjëherë ndonjë kompleks në marrëdhëniet tona. Pavarësisht se nuk kam pasur të bëj kurrë me atë shërbim, të etiketuar tashmë si “i mallkuar” etj., me Markun dhe me bashkëshorten e tij Hatemen kisha krijuar një marrëdhënie tejet njerëzore. Nëse pas vitit 1990 ish-Sigurimi i Shtetit u anatemua keqas, kjo nuk ndryshoi asgjë në marrëdhëniet tona. Prej shumë vitesh ai jetonte në Lion të Francës, por i ndiqte me vëmendje të jashtëzakonshme zhvillimet në Shqipëri. Si Marku edhe Temja, interesoheshin edhe për detaje të jetës sonë të përditshme, por sidomos ato që kishin të bënin me politikën dhe me qëndrimin ndaj së kaluarës…
Si gazetar ndihem mirë që kam që i fundmi që pata fatin të komunikoj me Mark Dodanin. Kjo ndodhi para nja dy muajsh, kur Presidenti Nishani dekoroi nja 400 diversantë që zbarkuan në Shqipëri në vitet 1949-1954. Mark Dodani ka qenë në vijën e parë të asgjësimit të këtyre diversantëve, përkrah Kadri Hazbiut, Hekuran Pobratit, Asim Alikos e të tjerëve. Sado që kanë ndryshuar kohërat, regjimi komunist është përmbysur dhe anatemohet përdirtë për të metat dhe krimet e tij, një nga gjërat që mbetet e pandryshueshme është pikërisht asgjësimi i atyre banditëve që zbarkuan nga ajri toka dhe deti për të përmbysur një qeveri legjitime të Shqipërisë.
Mark Dodani ishte pikërisht një nga ata të vijës së parë që mori pjesë në eliminimin e këtyre bandave dhe banditëve në atë kohë. Mark Dodani njihet edhe si autor i disa librave që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë moderne, por padyshim ai identifikohet si një nga Heronjtë e heshtur të Shqipërisë në kohën e Luftës së Ftohtë…
Në vijim po sjellim një fragment nga shkrimi i fundit i Mark Dodanit në DITA:
Pjesëmarrësi dhe dëshmitari autentik në eliminimin e bandave në vitet ’50: E vërteta mbi 400 diversantët terroristë që dekoroi Nishani më 20 shkurt të këtij viti. Krimet e përbindshme që ata kanë kryer. Një portret për heroin Asim Aliko dhe pse nuk ka luajtur asnjë rol agjenti i shumëfishtë Kim Filbi…
Më 20 shkurt, pra tre javë më parë, Mark Dodani 91-vjeçar, atje larg në Francë ku jeton prej vitesh, po ndiqte lajmet e mbrëmjes që vinin nga Tirana. Papritmas, përplas grushtin në tavolinë dhe thërret: “Poshtërsi! S’ka poshtërsi më të madhe!”. Ç’pate? E pyet Hatemja, e shoqja. “Po shiko moj se çfarë bëhet në Tiranë. Presidenti Nishani ka dekoruar me dekoratën e Skënderbeut 400 diversantët terroristë që u hodhën në Shqipëri në vitet ’50. Po a ka turp më të madh? Ata ishin terroristë, ishin armiq që përfunduan në koshin e plehrave të historisë siç e meritonin… Ky vete dhe i dekoron… Turp e faqja e zezë!
Qysh atë natë na mori në telefon në gazetë, sikurse bën shpesh herë. Ishte tejet i indinjuar. “Do ulem e do shkruaj t’i tregoj Nishanit dhe të gjithë shqiptarëve se kush ishin ata…”, na tha.
Mark Dodani, një nga figurat emblematike të ish-Sigurimit të Shtetit, ka qenë pjesëmarrës i vijës së parë në luftën kundër bandave në vitet 1949-1954. Në këtë material që dërgoi enkas për DITA-n, duke u ndalur te figura e Heroit të Popullit Asim Aliko, ai përshkruan se ç’ishin bandat e diversantëve që u hodhën në atë kohë, kush i financonte, fundin e tyre dhe të vërtetën për agjentin e shumëfishtë Kim Filbi.
Nuk ka shtet pa Sigurim Kombëtar, organizëm në të cilin kërkohen njerëz që përkushtohen deri me jetë, përkushtohen me zemrën e tyre të ngrohtë , me duar të pastra për të mos rënë në kompromentim moral dhe material, pa lënë në harresë kulturën me arsimimin e domosdoshëm dhe mendçurinë e natyrshme. Por fatkeqësia jonë vjen nga qeveritë tona.
Sidomos nga ato të parat, njëlloj me të cilat e teprojnë deri në hatara, qeveritë e ditëve tona që nuk vlersuan, as nuk vlerësojnë, nuk nderuan, as nuk nderojnë dhe nuk i mbrojtën as nuk i mbrojnë figurat, sikundër kanë vepruar dhe veprojnë shtetet e mëdha demokratike të botës, si Amerika, Anglia, Franca, Rusia deri te Italia e shumë të tjera anekënd botës, që figurat i mbrojnë dhe i mbajnë në ballë të kombit të tyre. E si për t’i vënë kapakun gjithë këtyre bëmave e gjëmave, Presidenti vete e dekoron më një dekoratë nga më të lartat 400 diversantët që erdhën t’i vinin flakën Shqipërisë në vitet ’50 të shekullit të kaluar…
Është e dhimbshme që në Shqipëri nuk u vlerësuan as nuk vlerësohen, por i njollosën, nuk i nderojnë, por i poshtërojnë, duke i shpallur tradhtarë, nuk i mbrojnë por i vrasin, paçka se historia flet dhe do të flasë për secilin. Kjo hata po vazhdon edhe në këto kohëra tranzicioni të vështirë kur vriten dhe zhduken pa nam dhe nishan deri në figura të mëdha kombëtare dhe, për asnjërën syresh, nuk përgjigjet askush, ndonëse ligji i detyron.
Vjen e dhimbshme deri në skajshmëri të paparë kur jeta e njeriut po krahasohet me “insekte – kandrra kenës këso bote”, siç shkruante Migjeni i madh, apo “minj dhe kavje laboratori” sikundër i portretizonte diversantët Prof. Abaz Ermenji.
Heroika e Asim Alikos gjurmon e mozaiktë në Bolenë e Kurvelesh, anekënd nëpër Labëri dhe më gjërë, tejpërtej nëpër Shqipëri.
Terroristët e banditizmit politik të armatosur deri në dhëmbë i njohëm dhe i mundëm, por ruhuni nga ata që do t’u vijnë me kollaro, porosiste Asim Alikon, Tomorrin me shokë, legjendari i legjendave Kadri Hazbiu.
Asim Aliko kur u nda prej nesh na la dhuratë guximin dhe trimërinë, mënçurinë dhe zemërbardhësinë. Mos u trembni nga trimat, ruhuni nga frikacakët e kollarisur , thonte rëndom Asimi se kështu do t’i shërbejmë mbrojtjes së lirisë, të drejtësisë, paqes dhe demokracisë …
Me ndjenjë të thellë nderimi Asim Aliko Tomorri, do të përfundonte mesazhin e tij: Falënderoj shumë gjithë lexuesit që na ndjekin …
****
Kush ishte
Mark Dodani lindi më 24 shkurt të vitit 1926, në Naraç të Shkodrës. Mbaroi shkollën fillore në Orosh të Mirditës. Më pas mbaron gjimnazin në Tiranë.
Në vitin 1964, kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë dhe Letërsi. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në vitin 1976, pranë shkollës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ka qenë partizan që në vitin 1943 dhe me përgjegjësi që në kohën e luftës. Ka punuar mbi 35 vjet në organet e Sigurimit të Shtetit. Pas daljes në pensionin e parakohshëm, u atashua si shkrimtar i lirë pranë kinostudios “Shqipëria e Re”.
Ka shkruar 3 romane, një monografi, dhjetë novela, disa vëllime me tregime, tre skenarë filmash artistikë dhe pesë skenarë dokumentarësh. Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit është futur në këtë shërbim në fillim të vitit 1946, i nxitur nga vrasja e babait dhe vëllait te tij në vitin 1945.
***
Bota ishte ndarë mëdysh, mbiquajtur kampi kapitalisto – revisionist me SHBA-n në krye dhe Demokracitë Popullore Socialiste që kryesoheshin nga Bashkimi Sovjetik.
Anglo – Amerikanët në krye të kampit kapitalist, përdorën taktikën e Banditizmit terrorist Politik si më e gjetura kundër regjimit kushtetues të asaj periudhe historike në Shqipëri. Lufta përmes Banditizmit politik Terrorist, si taktika më e zgjedhur Anglo – Amerikane në funksion të qëllimit strategjik për shkëputjen me dhunë të Shqipërisë nga kampi socialist, dështoi. Madje u konsiderua model dështimesh. Këto dështime që arritën kulmin në periudhën 1949-1954, u përjetuan në mënyrë tragjike nga drejtuesit e Shërbimeve Inteligjente Sekrete Anglo Amerikane, të cilat u përmendën të regjistruara në memoriet e historisë.
Në një kohë të mëvonshme këto dështime i konfirmoi edhe vetë Kryeministri Tony Bler i Britanisë së Madhe. Që këtej vjen logjikshëm fakti që ky dështim superfuqish kundër Shqipërisë së vogël pati jehonë të madhe./Dita

















