Na ndiqni edhe në

Histori Shqiptare

Teqeja e Alipostivanit, si u bë një prej destinacioneve më të vizituara të kultit në Shqipëri!

Teqeja e Alipostivanit, si u bë një prej destinacioneve më

Nga një kodër e qetë në krahinën e Dangëllisë, buzë Përmetit dhe Kolonjës, Teqja e Alipostivanit sot ngrihet si një nga vendet më të vizituara të kultit në Shqipëri. Me një historik të rrënjosur thellë në bektashizëm dhe një trashëgimi që përballoi dhunën e komunizmit, kjo teqe është kthyer jo vetëm në një qendër shpirtërore për besimtarët, por edhe në një pikë referimi për vizitorët shqiptarë e të huaj që kërkojnë rrënjët e shpirtit të Shqipërisë.

Gazetari britanik Robert Hackman, i njohur për eksplorimin e kulturave ballkanike, vizitoi këtë teqe në kuadër të dokumentarit të tij të realizuar për DritareTV. Aty ai u përball me një botë të papritur, një mikpritje të rrallë, një komunitet që jeton me shpirt dhe një filozofi që tejkalon kufijtë e fesë.


“Nuk po vija thjesht në një ndërtesë fetare, por në një komunitet të gjallë, një mënyrë jetese që respekton njeriun, natyrën dhe përtej çdo gjëje, dashurinë,” thotë Hackman, ndërsa qëndron përballë godinës së bardhë të teqesë.

Teqja, e themeluar në fund të shekullit XVIII, përjetoi një histori të trazuar. Me vendimin e diktaturës për të ndaluar fenë në vitin 1967, ajo u shkatërrua dhe humbi rolin e saj shpirtëror për dekada me radhë. Por pas viteve ’90, ajo ringjallet me përkushtimin e Baba Hekuran Nikollarit dhe mbështetjen e komunitetit bektashi.

Ajo që e bën këtë teqe unike është ndërthurja e shpirtërores me natyrën, heshtja me lutjen, mikpritja me filozofinë. Brenda kompleksit gjenden tyrbe, biblioteka, një shtëpi e mikut dhe një kuzhinë që ushqen me zemër mbi 3 mijë njerëz çdo vit gjatë Sulltan Nevruzit.

Në çdo cep të teqesë ndihen aromat e përgatitjeve tradicionale, rakia që pihet me masë dhe respekt, petullat që shoqërojnë fjalët e urta, e sidomos ashurja, embëlsira bektashiane që simbolizon dashurinë universale dhe bashkimin.

Bektashizmi i Alipostivanit nuk përpiqet të imponojë dogma. Ai ofron një mënyrë të të jetuarit, që vendos dashurinë, paqen, barazinë dhe respektin në qendër të gjithçkaje. Toleranca ndërfetare është shtyllë e pandashme e kësaj teqeje.

“Në kishë jemi ortodoksë, në xhami jemi myslimanë, por mbi të gjitha jemi shqiptarë,” është një prej thënieve që dëshmon se ky vend është një tempull i bashkimit dhe jo ndarjes.

Rrugëtimi drejt Teqesë së Alipostivanit nuk është vetëm një pelegrinazh fetar, por edhe një udhëtim kulturor. Çdo vit, qindra të huaj, si Robert Hackman dhe mijëra shqiptarë nga diaspora dhe çdo skaj i vendit ngjisin atë kodër për të takuar jo vetëm një Baba, por një mënyrë tjetër për të kuptuar jetën./K.C/dritare.net