Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hapet ekspozita e skulptorit italian, Veliaj: Tirana, një qendër e artit modern bashkëkohor

Hapet ekspozita e skulptorit italian, Veliaj: Tirana, një qendër e

Qytetarët e Tiranës do të kenë mundësi të shijojnë për një muaj  skulpturat e famshme të artistit italian Marco Lodola.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në çeljen e ekspozitës në mjediset e Muzeut Kombëtar, i cili vlerësoi prezantimin e këtyre veprave të famshme dhe falenderoi të gjithë ata që e mundësuan një gjë të tillë.

“Nuk ka bekim më të madh për një kryetar bashkie se sa të shohë që kryevepra botërore, si “Reja” apo skulpturat e famshme të artistit Lodola, janë të aksesueshme për të gjithë qytetarët e Tiranës, nga fëmijët 8 vjeç deri në 80 vjeç. Unë besoj se kjo e bën qytetin pak më të mirë, kur kemi akses tek estetika, tek e bukura. Ajo imponon një sjellje më të përgjegjshme si qytetar. Ashtu si Reja, edhe këto skulptura janë dhuratë për t’u shfaqur në Tiranës deri në janar 2017.

E keni vënë re që përballë “Resë” nuk hidhen më mbeturina?! E keni vënë re se përballë Elefantit te lulishtja e Presidencës nuk ka më mbeturina?! Ju mendoni se ndryshojnë njerëzit? Në fakt po! E bukura, estetikja, imponon një sjellje ndryshe. Nëse sheh pis, bën pis; nëse sheh pastër dhe provokohesh nga bukuria, nga drita apo arti që është derdhur aty, sigurisht që kjo të stimulon të jesh një qytetar më i përgjegjshëm dhe ta duash qytetin tënd”, tha Veliaj duke theksuar se Bashkia e Tiranës do të vijojë të realizojë aktivitete të tilla të tjera.

Veliaj tha se shumë shpejt do të prezantohen edhe idetë për ta kthyer Piramidën e Tiranës sërish në një epiqendër të aktiviteteve kulturore. “Mezi pres të bëjmë një prezantim të disa prej ideve se si do transformohet Piramida e Tiranës. Kemi disa plane për ta kthyer atë sërish në një epiqendër të aktiviteteve kulturore, të pop-artit, artit modern në Tiranë. Shumë aktivitete të qytetit do të duam t’i gjenerojmë aty, shumë prej ekspozitave, instalacioneve, një qendër konferencash, aktivitete për muzikantë të rinj, artistë që duan të ekspozojnë veprën e tyre, të krijojmë disa pole në Tiranë”, tha ai.

Skulpturat prej drite kanë ngjallur mjaft kuriozitet tek qytetarët dhe tek turistët e huaj të cilët vizitojnë kryeqytetin në këto ditë festash. Ato janë të vendosura në lulishten në krah të Presidencës dhe ekspozita në mjediset e Muzeut Kombëtar do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 8 janar, duke e kthyer Tiranën në një qendër të artit modern bashkëkohor.