Gjashtë shqiptarë në garë për zgjedhjet në SHBA, vetëm njëri siguroi fitoren!
Dritare.net

Gjashtë kandidatë me origjinë shqiptare morën pjesë në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbajtura më 3 nëntor. Sipas rezultateve paraprake, vetëm republikani Joe Hoxha arriti të siguronte fitoren, duke u rizgjedhur për një mandat të tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Connecticut-it. Katër kandidatë të tjerë shqiptarë u mundën, ndërsa rezultati për demokraten Edlira Sako në Michigan mbetet ende i pjesshëm.
Sipas të dhënave të publikuara nga portali shqiptaro-amerikan Atlantiku, Joe Hoxha, i lindur në Tiranë, fitoi me një diferencë të ngushtë prej vetëm 164 votash ndaj rivalit demokrat Nate Brown.

Hoxha mori 4,585 vota, ose 50.91%, kundrejt 4,421 votave për Brown. Ai fitoi në Plymouth me një avantazh prej 400 votash, ndërsa në Bristol u rendit pas kundërshtarit me 236 vota.
Në Nju Jork, republikani Diamant Hysenaj, i cili u largua nga Kosova në vitin 1991 dhe u vendos në Bronx, humbi përballë kongresmenes demokrate Alexandria Ocasio-Cortez në Distriktin e 14-të të Kongresit amerikan. Hysenaj siguroi 21.54% të votave, ndërsa Ocasio-Cortez mori 78.22%.

Një tjetër kandidat me origjinë nga Kosova, demokrati Shpëtim “Tim” Qorraj, u mund nga republikani Michael Tannousis në garën për Distriktin e 64-t të Asamblesë së Nju-Jorkut. Qorraj mori 39.33% të votave, kundrejt 60.53% për kundërshtarin e tij.

Në Connecticut, republikani Peter Lumaj humbi garën për postin e Sekretarit të Shtetit përballë demokrates Stephanie Thomas, e cila siguroi 62.47% të votave, ndërsa Lumaj mori 37.53%.

Po në Connecticut, kandidatja republikane Alma Sarelli nuk arriti të fitonte vendin në Senatin shtetëror për Distriktin e 26-të. Ajo mori 34.6% të votave, ndërsa demokratja Samantha Nestor fitoi me 65.4%. Sarelli e pranoi humbjen që në mbrëmjen e zgjedhjeve, duke i uruar kundërshtares suksese në detyrën e saj.

Ndërkohë, në Michigan, demokratja me origjinë shqiptare Edlira Sako rezultonte në disavantazh përballë republikanit Doug Wozniak, në garën për Distriktin e 24-t të Senatit të shtetit.

Sipas numërimit të pjesshëm në 53 nga 66 qendra votimi, Sako kishte marrë 37% të votave, ndërsa Wozniak kryesonte me 63%. Në momentin e raportimit, rezultatet përfundimtare nuk ishin publikuar ende./dritarenet