Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Foto ekskluzive/ 16 tetori në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës

Foto ekskluzive/ 16 tetori në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës

Nga Dritare.net

Në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës, çdo 16 tetor përkujtohet ditëlindja e bashkëshortit të saj, Enverit. Përgatitjet fillojnë një ditë më parë, ndërsa  gjithë familja bëhet gati, për të pritur të nesërmen njerëzit. Dhe si çdo vit, ata nuk mungojnë, fillimisht shkojnë në varrin e Enver Hoxhës.

Më pas, disa me lule në duar e të tjerë me fotografinë e tij në xhaketë, shkojnë të takojnë familjen e Hoxhës, në shtëpinë ku jetojnë, në Laprakë.  Edhe këtë 109  vjetor, asgjë nuk ka ndryshuar.

Nexhmije Hoxha  tregon për Dritare.net, se që në orët e para të mëngjesit, kanë nisur vizitat.

“Enverin e përkujtojmë në dy data, në 11 prill, dita e vdekjes dhe në 16 tetor. Më parë vinin shumë edhe nga rrethet, pjesa më e madhe e tyre vijnë prapë. Dhe qindra të tjerë shkojnë te varrezat. Këtë përvjetor,  edhe nga Amerika na sollën një kurorë shumë të bukur dhe na uruan.

Por tani, nisur edhe nga gjendja ime shëndetësore, vijnë më pak në shtëpi, ose dërgojnë urimet e tyre. Gjatë paradites janë më të shumta vizitat, kurse pasdite më pak. Pasi edhe ne duam të kalojmë pak kohë mes nesh, në këtë ditë të rëndësishme.  Edhe kur Enveri ishte gjallë ne kështu i kalonim ditëlindjet, e gjithë familja bashkë.”

Telefoni i Ilirit, djalit të madh, nuk pushon në asnjë moment, ndërkohë që Pranvera, vajza, sjell gotat e rakisë dhe në derë njerëzit sa vijnë e shtohen.

“Sot është një ditë e veçantë, e shënuar pasi festohet 109 vjetori i lindjes së Enverit.  Ne çdo vit vijmë, si në 11 prill, ashtu edhe sot. Ne jemi të nderuar, që kemi mundësinë të vijmë e të vizitojmë”, -thotë për Dritare.net Muharrem Xhafa, sekretar i KQ të PPSH-së.

“Enver Hoxha për mua nuk kishte asnjë të metë, për kohën që jetoi. Pasi edhe diellin, po ta shohësh siç e shohin astronautët, ka njolla, por ato njolla nuk ia heqin vlerën e asaj që rrezaton. Unë kam shumë vite që vij dhe vizitoj Nexhmije Hoxhën, madje shumë kohë më parë i kam kërkuar një relikë nga Enveri.

Ajo është shumë e kujdesshme për to, por përsëri ajo më dha një palë syze.  Ishte shumë e papritur, e i kam puthur çdo milimetër. Madje unë kam edhe një unazë, ku kam portretin e tij”, thotë Bashkimi, një nostalgjik pasionant i Enver Hoxhës  për Dritare.net.

Vizitat vazhdojnë në dhomën e vogël , ndërsa Nexhmije Hoxha që është duke lënë pas 96 vjetorin, i flet të gjithëve, emër për emër. Sepse ajo nuk harron asgjë dhe asnjeri. /Dritare.net