Do ngremë flamurin serb në Prizren! Avokati kallëzon penalisht Ivica Daçiçin
Dritare.net
Avokati nga Prizreni, Gent Gjini, ka depozituar një kallëzim penal ndaj zyrtarit serb Ivica Daçiç, pas deklaratave të tij për vendosjen e flamurit serb në Prizren dhe rikthimin e politikës së Slobodan Millosheviçit.
Në një intervistë për DritareTV, Gjini tha se i konsideron këto deklarata shqetësuese për sigurinë e Kosovës dhe se ato duhet të shqyrtohen nga institucionet e drejtësisë. Sipas avokatit, retorika e përdorur nuk duhet të justifikohet me fushatën zgjedhore në Serbi.
Avokati kërkoi që Shqipëria të reagojë në forumet ndërkombëtare, duke argumentuar se deklaratat që prekin sigurinë e shqiptarëve në Kosovë duhet të marrin vëmendjen e institucioneve përkatëse.
I pyetur nëse ndihet i kërcënuar personalisht, Gjini u përgjigj se deklaratat e përmendura e shqetësojnë, pasi ai është nga Prizreni, jeton dhe ushtron profesionin e avokatit në këtë qytet./dritare.net