Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çmontohet rrjeti ndërkombëtar i mashtrimit me call center-a! 7 të arrestuar, mbi 4 milionë euro dëm

Çmontohet rrjeti ndërkombëtar i mashtrimit me call center-a! 7

Një rrjet ndërkombëtar mashtrimi përmes platformave të rreme të investimeve online është goditur në një operacion të përbashkët të autoriteteve të disa vendeve europiane, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust. Aksioni ka çuar në arrestimin e 7 personave, tre prej të cilëve në Kosovë, ndërsa dëmi financiar i shkaktuar viktimave nga të paktën 50 shtete llogaritet në mbi 4 milionë euro.

Në operacion morën pjesë edhe SPAK dhe Policia e Shtetit. Autoritetet kontrolluan 17 ambiente dhe sekuestruan mbi 100 serverë, ndërsa hetimet zbuluan se rrjeti dyshohet se përdorte call center-a dhe platforma mashtruese për të bindur qytetarët të investonin para në kriptomonedha, valuta dhe aksione, duke u premtuar fitime të mëdha.

Njoftimi i plotë:

SPAK dhe Policia e Shtetit ishin pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për mashtrimin e qytetarëve në mbarë botën përmes platformave të rreme të investimeve online.

Rezultatet e operacionit të mbështetur nga Europol dhe Eurojust në disa vende të Europës:

• 7 persona të arrestuar.

• Mbi 100 serverë të sekuestruar.

• 17 ambiente të kontrolluara në disa shtete.

• Mbi 4 milionë euro dëme financiare të dyshuara.

Faza e fundit e operacionit vjen pas arrestimeve dhe kontrolleve të kryera në vitet 2022 dhe 2025, në kuadër të të njëjtit hetim ndërkombëtar.

Hetimet zbuluan edhe një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se furnizonte grupet kriminale me platforma dhe faqe interneti mashtruese. Klientë të dyshuar të saj janë identifikuar edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Atyre u premtoheshin fitime të mëdha nga investimet në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Viktimat joshnin fillimisht me fitime fiktive, ndërsa më pas ushtrohej presion psikologjik për t'i bindur të investonin gjithnjë e më shumë para.

SPAK është pjesë e dy ekipeve të përbashkëta hetimore pranë Eurojust, njëri me Gjermaninë dhe Poloninë dhe tjetri me Kosovën./dritare.net