Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bllaca, 90 vitet e kasatës më të mirë shqiptare

Bllaca, 90 vitet e kasatës më të mirë shqiptare

Nga Dritare.net

Nëse unë ju them kasata Bllaca, çfarë ju vjen në mendje? Me siguri shumë prej jush do të bëheni nostalgjikë dhe do të kujtoni se si e konsumonit vite më parë, në muajt e nxehtë të verës.

Dikush tjetër vazhdon ta shijojë edhe në dimër. Nuk besoj ka nga ata që nuk i kanë provuar ndonjëherë produktet Bllaca. Nëse ka, atëherë çfarë prisni?!

Gjithçka ka nisur në fillim të shekullit të kaluar në Gjirokastër, prej nga vjen familja Bllaca.

Edi Bllaca, rrëfen për Dritare.net, rrugëtimin e gjyshit nga qyteti i gurtë, për në Stamboll dhe hapjen e dyqanit të parë të akullores në Durrës.

[caption id="attachment_287523" align="alignnone" width="536"] Edi Bllaca[/caption]

“Kur ishte vetëm 11 vjeç, gjyshi u largua në drejtim të Turqisë. Atje nisi të punojë pranë një beu të madh. Me kalimin e kohës ai u bë edhe kuzhinier në vilajetin e tij. Aty nisi për herë të parë të prodhojë akulloren.

Dihet që në ato kohë, akullorja nuk ishte një produkt shumë i njohur, veçanërisht në Ballkan. Kjo, pasi kishte mungesë të theksuar të mjeteve për ta prodhuar.

Rreth moshës 40 vjeçare, gjyshi vendos të rikthehet në Shqipëri, donte ta sillte akulloren në vendlindje.

Ishte koha e Mbretit Zog dhe qyteti i Durrësit ishte nga më të zhvilluarit. Ndaj gjyshi u shpërngul aty, ku takoi për herë të parë  gjyshen tonë, e cila ishte durrsake vendase.

Që nga dita e parë dhe deri te e fundit, ajo ka qenë mbështetja, përkushtimi dhe ndihma e tij, pa kushte.

Në vitin 1930 ata hapën bashkë, dyqanin e parë në qendër të Durrësit, dhe ka qenë ndër të pakta vende ku prodhohej akullorja. Në ato vite dyqani nuk kishte emër, por të gjithë i thoshin Usta Bllaca.

Ndërkohë turistët ishin të shumtë, veçanërisht nga Gjermania e Polonia. Ndaheshin në ata që ishin rastësisht në Durrës, që vinin nga porti dhe ndalonin në dyqanin e gjyshit. Por, ishin edhe ata turistë që i kishte vajtur fjala në vesh dhe vinin nga Tirana në Durrës, posaçërisht për akulloren Bllaca,”-thotë për Dritare.net 35 vjeçari.

Edi Bllaca rrëfen për Dritare.net, se me ardhjen e sistemit komunist, dyqani vazhdoi, por emri i ndryshoi. Asokohe dyqani quhej Valbona, kjo pasi në atë kohë nuk lejohej të vendosej emri, apo mbiemri i personit.

Por Usta Bllaca pavarësisht pengesave dhe telasheve, nuk mund të hiqte dorë nga pasioni i tij dhe dëshira për të ëmbëlsuar ditën e vizitorëve.

“Politikat e asaj kohe nuk lejonin aktivitetin privat, e vendosnin tatime shumë të larta në Durrës e Tiranë, të papërballueshme nga subjektet. Gjyshi bëri kërkesë që të zhvendoste biznesin në Elbasan dhe atje qëndroi për më shumë se 3 vjet.

Më pas, dyqani u mbyll, por gjyshi nuk hoqi kurrë dorë nga akullorja. Ai  shkoi të gatuajë për minatorët në zonën e Kamzës. Atje iu bënte ushqimin në mensë dhe nuk harronte kurrë akulloren.”

[caption id="attachment_287448" align="alignnone" width="960"] Babai, Fahredin dhe gjyshi, Fetah[/caption]

Fetih ndërroi jetë rreth moshës 60 vjeçare, por gjithë sekretet e shijes magjike të produkteve Bllaca, ia kishte transmetuar djalit të vetë, babait të Edit.

“Pas viteve ’90 ishte im atë, ai që vazhdoi profesionin, duke mbajtur gjallë gjithë atë krijimtari të gjyshit.  Babai e kishte shoqëruar gjyshin në dyqan, që kur ishte në moshë të vogël.

Dashurinë, profesionalizmin dhe përkushtimin që kishte gjyshi, i mori edhe im atë. Por, përveç dëshirës për ta pasur me vete, gjyshi këmbëngulte që babai të vazhdonte studimet, për të pasur edhe një profesion tjetër. Dhe im atë u bë një nga zooteknikët më të mirë në Shqipëri.

Babai im tani është 85 vjeç dhe përsëri vazhdon të vijë në dyqan, ku gjatë verës përveçse prodhon, edhe servir. Kaq shumë i lidhur është pas produkteve që ne prodhojmë.”

Tradita vazhdon. Janë Edi dhe Fatih ( i riu) , dy vëllezërit Bllaca, të cilët prodhojnë recetat, që kanë bërë për vete gjithë shqiptarët.

Sepse kjo është shija e produkteve Bllaca, ata që janë klientë të vjetër, e dinë shumë mirë, që asgjë nuk ka ndryshuar ndër breza. Pasi kasata dhe akullorja Bllaca janë shija e Shqipërisë.

“Për ne ka qenë shumë e rëndësishme ruajtja e shijes tradicionale, vazhdimi i asaj që ka krijuar gjyshi im. Klientët më besnikë janë emigrantët, ata sa herë që kthehen, vijnë në dyqan për të shijuar produktet tona. Pasi ata e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të hash akullore artizanale, pa konservant. E para, për vlerat e shumta ushqimore dhe pastërtinë e produktit.

Unë jam munduar që produktet Bllaca të jenë sa më të pranishme për të gjithë, pa dallim shtrese. Me çmimin që ka, secila shtresë mund ta konsumojë,” - tregon krenar Edi për Dritare.net.

Teksa mundohem të zbuloj sekretin e recetave, Edi më thotë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, apo produkte çudibërëse.

“Nuk janë produkte magjike, nuk është recetë sekrete. Sekreti që trashëguam nga gjyshi është dashuria për akulloren. Po nuk e deshe, po nuk ju përkushtove, po nuk u përpoqe të gënjesh njerëzit me cilësinë e produktit tënd, ti ke trashëguar një thesar.

Duhet të kesh një ndershmëri të madhe në zgjedhjen e produkteve dhe të mos jesh tamahqar me fitimin.

Cilësia e produkteve është shumë e rëndësishme për ne, ndaj të cilës nuk kemi bërë asnjëherë kompromise. Sekreti përse klientët i preferojnë kaq shumë produktet tona ka të bëjë me faktin që ne ruajmë traditën. Si babai im, ashtu edhe unë, mundohemi që t’i rrimë sa më besnikë shijes së dikurshme.

Në dyqan ne ofrojmë edhe produkte të tjera, p.sh. akullore me fistikë, karamel, yogurt etj., por më e kërkuara sigurisht që është ajo tradicionalja, me salep. Ato janë një kombinim i aromave orientale (turke), oksidentale (italiane) dhe vendase (shqiptare), prandaj zor se janë të imitueshme.

Ne përdorim produkte bimore dhe sa më pak industriale, si p.sh. qumështi, pasi kanë konservantë, janë të bërë me sojë. Ndaj ne marrim qumështin tradicional. Këto produkte nuk janë shumë lehtë të gjindshme, pasi duhet të gjesh tregtarin, zonën, stinën e duhur.

Jam shumë kundër produkteve industriale, ka ardhur koha që të kthehemi sa më shumë tek bimoret. Veçanërisht të vazhdojmë të ruajmë produktet tradicionale, pasi ato na bëjnë këto që jemi. Nuk duhet të harrojmë këto pasuri kombëtare që kemi dhe gatimi është një vlerë. Edhe turistët e huaj, kur vijnë duan shërbim tradicional dhe produkte artizanale, sepse ato nuk i njeh,”- thotë për Dritare.net 35 vjeçari.

Edhe pse sot ekziston vetëm një dyqan në Durrës, afër Gjykatës së Shkallës së Parë, Edi tregon për Dritare.net, se shumë shpejt mendon të vijë me një tjetër pikë, ku çdokush mund të shkojë. Ndërkohë produktet Bllaca i gjeni në supermarketet kryesore si Big Market, Conad, Spar, Carrefour, dyqanet e kryeqytetit, Durrësit, e më pak në qytete të tjera. Gjatë muajve të dimrit, dyqani është i mbyllur, për tu hapur gjatë muajit mars. Për të sjellë shijen e mrekullueshme, atë të vjetrën, tradicionalen dhe artizanalen.

Siç lexon edhe në këtë foto, në dyqanin e vjetër- ‘Ju nuk e keni vizituar tamam Durrësin, nëse nuk keni provuar kasatat, limonadën, ëmbëlsirat e akulloret e Valbonës,’ që sot njihet si Pastiçeri Bllaca.

Dhe nuk mund të thoni që keni provuar ëmbëlsira, nëse nuk keni shijuar akulloren, kasatën apo parfenë Bllaca./Dritare.net