Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ben Blushi rrëfen historitë e Tiranës!

Ben Blushi rrëfen historitë e Tiranës!

Tirana, qyteti i bejlerëve dhe mbretërve, i diktatorëve dhe politikanëve, i kafeneve, lagjeve dhe historive që kanë shënjuar identitetin e saj. Një udhëtim në katër shekuj histori, përmes personazheve dhe ngjarjeve që shpesh duken të pabesueshme. Kjo është bota që sjell Ben Blushi në librin e tij të ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”. I ndarë në 38 kapituj dhe me rreth 100 personazhe, romani ndërton një portret letrar të kryeqytetit, nga themelimi i tij në vitin 1614, te transformimet arkitekturore, politike dhe shoqërore deri në vitin 2000. Nuk është një histori klasike e Tiranës, por një rrëfim artistik ku faktet historike takohen me ironinë dhe këndvështrimin e autorit.

“Ky është një libër pak i ndryshëm nga librat që kam bërë përpara. Është një lloj trilli, me kuptimin që personazhet e mi kanë ekzistuar. Shkrimtarët zakonisht i sajojnë personazhet e tyre, kurse ky pothuajse nuk ka asnjë personazh të sajuar. Janë të gjithë njerëz që kanë ekzistuar. Mua më ka dhënë shumë kënaqësi kur e shkruaja dhe kam qeshur shumë.”, tha autori Ben Blushi.

Por çfarë i bën këto histori të çmendura? Për Blushin, është vetë rrugëtimi i pazakontë i qytetit dhe i njerëzve që e kanë ndërtuar, drejtuar dhe transformuar atë. Në qendër të rrëfimit janë edhe objektet që kanë përcaktuar pamjen e Tiranës, nga bulevardi dhe Blloku, te ministritë, sahati, xhamitë dhe hapësirat publike. Botuesi Bujar Hudhri e sheh librin si një dialog mes së shkuarës dhe së tashmes, ku personazhet historike marrin një jetë të re përmes letërsisë.

“Ky libër është i ndarë në 38 kapituj, 38 histori, ku parakalon në sytë e lexuesit krejt historia e këtij qyteti. Sikur Tirana të jetë një njeri dhe këto janë historitë e saj prej katër shekujsh. Beni nuk bën historinë e Tiranës. Është një roman për historinë e Tiranës.”, tha botuesi Bujar Hudhri.

Libri vjen edhe si një rikthim i autorit te qyteti i tij, përmes një pune kërkimore dhe letrare që, siç tregon vetë Blushi, nisi vite më parë dhe u rishkrua nga e para. Ai është i mbushur me histori e njerëz nga fshati dhe qyteti.

Një përzgjedhje subjektive, por e lidhur nga dy linja: njerëzit që kanë bërë Tiranën dhe objektet që i kanë dhënë formë.

Qyteti u themelua në vitin 1614 nga një pasha i vogël me emrin Sulejman pashë Bargjini, i cili la një ditë fshatin e vet, Mulletin dhe vendosi të krijojë disa biznese në qendër të Tiranës, aty ku sot është Ushtari i Panjohur. Ai ngriti aty një xhami, një han, një hamam dhe një çezmë. Duke përfunduar rrëfimin në vitin 2000, me çmendurinë mbase më të madhe të historisë, vitin 1997 dhe ngjarjet që pasuan, autori lë jashtë zhvillimet e dekadave të fundit, por pranon se ngjarjet e sotme në kryeqytet krijojnë një përkim të veçantë me historitë që ka zgjedhur të tregojë.

“Ky libër ka mbaruar në qershor, pa e ditur çfarë do të ndodhte në Tiranë këto dy-tre javët e fundit. Kjo është një koincidencë që nuk besoj se e prish librin tim. Përkundrazi, kjo vërteton atë që them unë, që Tirana ka shumë histori të çmendura.”, tha Blushi./dritare.net