Azgan Haklaj: Berisha nuk shkon dot në SHBA, sepse nuk kthehet më!
Dritare.net
A është hequr “non grata” për Sali Berishën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Kjo ishte një nga çështjet e diskutuara në emisionin “Dekalog” me Roland Qafokun në DritareTV, ku ishte i ftuar ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj. Sipas Haklajt, ish-kryeministri ka pasur të drejtë të aplikojë për vizë amerikane, por nuk e ka bërë këtë. Ai tha se Berisha ka paraqitur një kërkesë për një vizitë shëndetësore, ndaj së cilës, sipas tij, ka marrë përgjigje, por nuk ka ndjekur procedurën për aplikimin për vizë. Duke folur me gazetarin Roland Qafoku, Haklaj deklaroi se lejet e kufizuara të udhëtimit nga SHBA mund të jepen në raste të veçanta dhe për arsye madhore, ndërsa shtoi se sipas tij Berisha mund të ketë frikë se pas udhëtimit nuk do të mund të rikthehej në Shqipëri.
Roland Qafoku: Berishës i hequr “non grata”?
Azgan Haklaj: Jo.
Roland Qafoku: Berisha lejohet të marrë vizë në Amerikë. Pse s’ka ikur? Pse s’e ka marrë vizën?
Azgan Haklaj: Nuk ka aplikuar.
Roland Qafoku: Pse?
Azgan Haklaj: Po ta shpjegoj. Berisha tha: “Erdha unë”. Ku ishe që erdhe? Këtu ishe. Tha: “Ma hoqën”. "Kam folur në telefon me të ngarkuarën me punë”. Çfarë i ka thënë ajo? I ka thënë: “Keni të drejtë të aplikoni për vizë.” Dhe Berisha s’ka aplikuar për vizë. Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin këto leje të kufizuara, i japin për arsye madhore. Heqin edhe “non gratën” për interesa të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe kanë lejuar, për shembull, Gaddafin, Sadam Huseinin të marrin pjesë në OKB, sepse OKB-ja ka një status ekstraterritorial. Berisha bëri një përpjekje dhe nuk e arriti dot para një viti e gjysmë apo dy vitesh. Tani ata mund të japin leje të kufizuar për arsye madhore, diplomatike, politike dhe shëndetësore. Berisha bëri një kërkesë për një vizitë shëndetësore e bëri. Ata i janë përgjigjur. Por Berisha nuk shkoi dhe tha: “Do pres një aktivitet kombëtar”.
Roland Qafoku: Si iu përgjigjën ata? A bëri aplikim ai për vizë?
Azgan Haklaj: Nuk bëri. Pra, ky bëri një kërkesë, por nuk bëri kërkesë për vizë.
Roland Qafoku: Pse sipas teje nuk e ka bërë?
Azgan Haklaj: E di Berisha. Berisha e di pse s’e ka bërë.
Roland Qafoku: Po ti di ndonjë gjë më shumë se ne?
Azgan Haklaj: Them unë, pse s’e ka bërë kërkesën? Berisha ka frikë se shkon e s’kthehet. Është normale. Shiko, është problem shumë i madh, zotëri. Donald Trump ka firmosur vazhdimin e situatës në Ballkan edhe për një vit tjetër. Domethënë do të jenë nën mbikëqyrjen e sanksioneve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia heqin “non gratën” për arsye madhore, sepse plotësohen kushtet që kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka pasur një përpjekje që në emër të sovranizmit të institucionalizohet antiamerikanizmi. Kjo ka qenë një përpjekje e stërmunduar e këtyre sovranistëve, për shkak të interesave të tyre utilitare pragmatike./K.C/dritare.net