Paralajmëron OBSH: Ebola shpërndahet më shpejt se sa mendohej
Dritare.net

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin se shpërthimi i ri i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos mund të jetë duke u përhapur më shpejt se sa mendohej fillimisht.
Sipas mjekes së OBSH-së, Anne Ancia, hetimet e fundit tregojnë se rastet mund të jenë shtrirë në zona të tjera përtej epiqendrës së shpërthimit në provincën Ituri, në verilindje të vendit.
Deri tani, zyrtarët raportojnë të paktën 131 viktima dhe më shumë se 513 raste të dyshuara në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa një rast vdekjeje është konfirmuar edhe në Ugandën fqinje.
Modelimet e kryera nga Qendra për Analizën e Sëmundjeve Infektive në Londër sugjerojnë se mund të ketë nëndetektime të konsiderueshme, duke mos përjashtuar që numri real i rasteve të ketë kaluar 1,000.
Banorët në zonat e prekura i kanë thënë BBC-së se janë të frikësuar dhe nuk dinë si të mbrohen. Një banor nga Ituri tha se të infektuarit po vdesin shumë shpejt. “Ebola na ka torturuar.", tha ai.
Ndërkohë, ekspertët e OBSH-së paralajmërojnë se përhapja mund të jetë nxitur nga lëvizjet e shumta të popullsisë dhe mungesa e masave mbrojtëse në zonat e prekura nga konflikti.
Autoritetet në vendet fqinje kanë forcuar kontrollet kufitare, ndërsa ekipet shëndetësore po përpiqen të identifikojnë dhe izolojnë rastet e reja sa më shpejt të jetë e mundur.
Sëmundja e Ebolës shkakton fillimisht simptoma të ngjashme me gripin, por mund të përparojë në të vjella, diarre dhe në raste të rënda dështim të organeve, duke u përhapur përmes kontaktit me lëngje trupore të infektuara./K.C/dritare.net