Na ndiqni edhe në

Shqip

Arlind Qori: Në 2029 do largohem nga drejtimi i Lëvizjes Bashkë

Arlind Qori: Në 2029 do largohem nga drejtimi i Lëvizjes Bashkë

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka deklaruar se në vitin 2029 do të largohet nga drejtimi i forcës politike që përfaqëson, duke mos rikandiduar për postin e kryetarit. Ai theksoi se dy mandate janë të mjaftueshme dhe se drejtimi i një partie nuk duhet të kthehet në një funksion të përhershëm.

Në një intervistë për emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV, Qori tha se do të vazhdojë të jetë aktiv në politikë, por nuk synon të qëndrojë pafundësisht në krye të Lëvizjes Bashkë.

“Unë jam zgjedhur kryetar i Lëvizjes Bashkë në dhjetor të vitit 2022. Jam rizgjedhur dhe kam deklaruar kur jam rizgjedhur që në vitin 2029, kur ne do të bëjmë kongresin e ardhshëm, unë nuk do të jem kandidat për kryetar të Lëvizjes Bashkë. E mendoj që është e mjaftueshme. Jo se nuk do të jem më në politikë, jo se nuk do të veproj më, por të paktën në këtë pozicion e mendoj që është e mjaftueshme”, deklaroi Qori.

Qori kujtoi gjithashtu se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 kishte vendosur të mos ishte i pari në listën e kandidatëve për deputetë, duke e cilësuar këtë si një shembull të mënyrës se si duhet të funksionojë një forcë politike.

“Në vitin 2025 e dhashë shembullin duke mos qenë i pari në listën e kandidatëve për deputetë. Dhe e dyta është kjo, që në vitin 2029 nuk do të jem më kandidat për kryetar të Lëvizjes Bashkë. Do të jetë dikush tjetër në vendin tim. Unë më shumë se kaq nuk kam çfarë bëj. Domethënë, veç të bëj harakiri kështu fizikisht, po s’ka sens.", deklaroi Qori./K.C/dritare.net