
Vrasja e gjyqtarit/ Kreu i GJKKO-së: Sot Shqipëria ka një plagë të hapur në raport me sistemin gjyqësor
Dritare.net
Drejtuesi i GJKKO, Erjon Bani gjatë mbledhjes së organizuar ditën e sotme pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit, ka deklaruar se vrasja e gjyqtarit është ngjarje që ka tronditur gjithë opinionin publik.
Bani tha se sistemi i drejtësisë, duhet të bashkohet, për të mbrojtur vlerat themelore të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Deklarata e plotë:
Ngjarja tragjike e datës 6 Nëntor, në Gjykatën e Apelit, ku kolegu ynë i ndjerë, gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën gjatë ushtrimit të detyrës, do të mbetet gjatë në kujtesën tonë si një plagë e thellë dhe një goditje e rëndë për sistemin gjyqësor të Republikës së Shqipërisë.
Kjo ngjarje, që tronditi jo vetëm trupën e magjistratëve por gjithë opinionin publik, duhet të shërbejë si pikë kthese historike për të rivlerësuar rrënjësisht mënyrën se si trajtohet siguria në ambientet e gjykatave dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi respektin ndaj institucioneve të drejtësisë.
Gjithashtu, kjo ngjarje është një moment kur më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur vlerat themelore të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Sot, jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka një plagë të hapur në raport me sistemin gjyqësor. Problemi nuk është i kufizuar vetëm brenda mureve të gjykatave, ai fillon nga mungesa e kulturës juridike në shoqëri, nga moskuptimi i rolit të drejtësisë si garanci e paqes sociale dhe përfundon tek një diskurs publik shpesh agresiv e denigrues ndaj gjyqtarëve. Është e papranueshme që një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian të ketë ende një perceptim publik kaq të paragjykuar ndaj gjyqësorit.
Në vendet e zhvilluara, respekti për pushtetin gjyqësor është i pakushtëzuar, askush nuk e vë në dyshim rolin e gjyqtarit si mbrojtës i ligjit dhe i të drejtave themelore të njeriut. Në Shqipëri, për fat të keq, ky respekt është gërryer me vite nga sulmet politike, nga mungesa e mbrojtjes institucionale dhe nga një frymë publike që shpeshherë e sheh gjyqtarin si armik, jo si garantues të drejtësisë.
Gjendja në të cilën ndodhet sot gjyqësori është e papranueshme dhe demoralizuese, por kjo mbledhje duhet të na shërbejë si moment bashkimi e reflektimi. Ne duhet t’i japim forcë njëri-tjetrit, të ringjallim idealin që na udhëhoqi që prej bankave të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, idealin për një Shqipëri ku sundon ligji, ku çdo qytetar është i barabartë përpara tij dhe ku çdo magjistrat mund të ushtrojë detyrën me dinjitet dhe në siguri të plotë.
Ky ndryshim duhet të nisë nga themeli i shoqërisë, nga shkollat, universitetet, familjet dhe sidomos media, për të krijuar një kulturë të re respekti ndaj ligjit dhe institucioneve të drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të formohet brezi i ardhshëm që e sheh gjyqësorin si simbol të shtetit, jo si objekt presioni apo urrejtjeje.
Situata ligjore dhe rregullatore në Shqipëri
Kur flas për sigurinë në gjykata, nuk e kam fjalën vetëm për mbrojtjen fizike të gjyqtarëve. Mbrojtja përfshin çdo person që hyn në gjykatë apo që ushtron detyrën brenda gjykatës, duke përfshirë këtu punonjësit e administratës, palët në proceset gjyqësore, dëshmitarët, viktimat, ekspertët, gazetarët dhe publikun.
Shqipëria ka një kuadër ligjor që përcakton përgjegjësinë e Policisë së Shtetit për rruajtjen e rendit dhe sigurinë në sallat e gjykimit si dhe detyrimin e Këshillave të Gjykatave për detajimin e rregullave për ruajtjen e sigurisë (VKM nr. 333/2010, 932/2010, 538/2020 dhe neni 38 i ligjit nr. 98/2016). Megjithatë, kjo mbrojtje nuk është zbatuar ende në gjykatat e vendit. Është momenti që çdo Këshill Gjykate të përcaktojë rregullat e brendshme për ruajtjen e sigurisë dhe që Këshilli i Ministrave në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor të hartojnë një politikë të mirëpërcaktuar për rregullin dhe sigurinë në ambientet e gjykatave sipas parashikimeve të nenit 49 të Ligjit nr. 98/2016.
Standardet ndërkombëtare.
Në këtë fjalim timin, dua të nënvizoj këtu reagimin e magjistratëve në SHBA, kur pas sulmit fatal në shtëpinë e gjyqtares federale Esther Salas në Neë Jersey më 19 korrik 2024, humbi jetën djali i saj dhe u plagos rëndë bashkëshorti. Menjëherë Konferenca Gjyqësore iu drejtua Kongresit Amerikan me kërkesën për një paketë masash sigurie, duke kërkuar fonde për përmirësimin e sistemeve të sigurisë në shtëpitë e gjyqtarëve dhe godinat federale, si dhe masa shtesë për mbrojtjen e informacionit personal të gjyqtarëve. Propozimet përfshinin instalimin e sistemeve moderne të alarmit, rritjen e numrit të policëve federalë, përmirësimin e kamerave të sigurisë dhe masa ligjore për të parandaluar publikimin e informacionit personal.
Ky rast nënvizon rëndësinë e sigurisë së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre dhe shërben si pikë referimi për shqyrtimin e situatës në Shqipëri.
Rekomandime për përmirësimin e sigurisë në gjykata
Në këtë kuadër, ky fjalimi i imi sot synon të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit të magjistratëve lidhur me sigurinë në gjykata dhe të ofrojë rekomandime konkrete për përmirësimin e saj. Ai bazohet në manualet e titulluar “Praktikat më të mira të sigurisë në gjykata” të Qendrës Kombëtare për Gjykatat Shtetërore në SHBA (NCSC, 2022) dhe “Udhëzuesin e Shoqatës Kombëtare të Sherifëve” (NSA, 2020) mbi sigurinë në gjykata.
Mbështetur në këto udhëzues për të vlerësuar gjendjen e sigurisë fizike të gjykatave shqiptare, propozohet që të ndihen hapat si më poshtë vijon:
I. Metodologjia e vlerësimit të situatës aktuale
Për të ndërtuar një sistem sigurie funksional në gjykatat shqiptare, hapi i parë është kryerja e një vlerësimi gjithëpërfshirës të situatës aktuale, i cili do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave dhe masave konkrete. Ky vlerësim duhet të përfshijë disa komponentë kryesorë:
1. Inspektimet fizike të infrastrukturës
• Të gjitha gjykatat duhet të inspektohen në mënyrë sistematike për të identifikuar pikat e forta dhe dobësitë e tyre.
• Inspektimi duhet të përfshijë hyrjet dhe daljet (përfshirë daljet emergjente), sallat e gjyqit, zyrat e administratës, hapësirat publike dhe parkimet.
• Duhet të analizohet gjendja e kamerave ekzistuese, sistemeve të alarmit, pajisjeve kundër zjarrit dhe siguria e korridoreve për transportin e të pandehurve.
• Ky proces duhet të bazohet në një checklist standarde sipas praktikave më të mira ndërkombëtare të përmendura më sipër, për të siguruar që të gjitha aspektet të trajtohen në mënyrë uniforme.
2. Analiza e protokolleve dhe politikave ekzistuese
• Të shqyrtohen dokumentet aktuale që lidhen me masat e sigurisë (urdhra të brendshëm, rregullore pune, marrëveshje me Policinë e Shtetit).
• Të analizohet nëse ekzistojnë protokolle të mirëfillta për menaxhimin e incidenteve (p.sh., si duhet vepruar në rast të një kërcënimi me armë ose zjarr).
• Të identifikohen boshllëqet midis praktikës aktuale dhe standardeve ndërkombëtare. Për shembull, shumë gjykata shqiptare nuk kanë procedura të standardizuara për kontrollin e vizitorëve, ndërsa kjo është praktikë e detyrueshme sipas praktikave ndërkombëtare.
3. Intervistimi i gjyqtarëve, stafit dhe personelit të sigurisë
• Intervistat duhet të synojnë mbledhjen e informacionit mbi perceptimet dhe përvojat e tyre në lidhje me sigurinë.
• Gjyqtarët dhe prokurorët mund të evidentojnë rastet e kërcënimeve apo presioneve, stafi administrativ mund të flasë mbi sigurinë e përditshme, ndërsa oficerët e sigurisë mbi praktikat operative.
• Ky proces ndihmon në krijimin e një panorame reale dhe në identifikimin e rreziqeve të perceptuara dhe reale.
4. Testimi i reagimit ndaj skenarëve emergjentë përmes ushtrimeve praktike
•Të organizohen ushtrime simulimi (p.sh., evakuimi në rast zjarri, reagimi ndaj një personi të armatosur, menaxhimi i turmës).
•Ushtrimet duhet të testojnë jo vetëm personelin e sigurisë, por edhe gjyqtarët, stafin dhe publikun.
•Rezultatet e këtyre ushtrimeve shërbejnë për të identifikuar mangësitë në reagim dhe për të përmirësuar planet e emergjencës.
5. Krahasimi me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare
•Vlerësimi duhet të përfundojë me një analizë krahasuese, ku situata e gjykatave shqiptare vendoset në raport me standardet ndërkombëtare të përmendura më lartë që përcakton masa themelore, kritike dhe thelbësore dhe ku vihet theksi mbi domosdoshmërinë e një koordinimi ndërinstitucional, procedura uniforme dhe ndërgjegjësimin e publikut.
•Ky krahasim do të mundësojë hartimin e një plani kombëtar sigurie për sistemin gjyqësor, duke përshtatur praktikat ndërkombëtare me realitetin dhe burimet e brendshme.
II. Krijimi i një Këshilli Sigurie për Sistemin Gjyqësor
Ky Këshill, i përbërë nga gjyqtarë të të gjitha niveleve dhe juridiksioneve, do të kishte funksion këshillimor dhe mbikëqyrës, i ngjashëm me komitetet e sigurisë të rekomanduara nga Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore në SHBA në manualet e titulluar “Praktikat më të mira të sigurisë në gjykata”. Detyrat e tij do të përfshinin:
Miratimin e një metodologjie për analizimin e situatës aktuale dhe matjen e riskut
Sot mungon një mekanizëm unik për matjen e rrezikut. Metodologjia duhet të përfshijë inspektime fizike, intervista me personel, testime praktike dhe analiza krahasuese me praktikat ndërkombëtare.
Ngritjen në çdo gjykatë të qendrave të monitorimit
Gjykatat shqiptare kanë pak ose aspak sisteme të centralizuara monitorimi. Vendosja e qendrave të komandës me kamera, alarme dhe komunikime emergjente është një standard ndërkombëtar.
Standardizimi i procedurave të sigurisë në çdo gjykatë
Procedurat aktuale ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën. Standardizimi garanton barazi sigurie dhe përgjigje më të koordinuar ndaj incidenteve.
Uniformizimi i planeve të emergjencës
Aktualisht gjykatat nuk kanë plane emergjence të unifikuara. Nevojitet që çdo gjykatë të hartojë plane të personalizuara, të bazuara në analiza periodike risku.
Trajnimi i detyrueshëm dhe çertifikuar
Stafi gjyqësor në Shqipëri nuk ka trajnim të specializuar në siguri. Në përputhje me praktikat ndërkombëtare, duhet të kryhen trajnimet e çertifikuara mbi reagimin ndaj incidenteve, menaxhimin e krizave dhe sigurinë personale.
III. Vendosja e rolit të koordinatorit të sigurisë në çdo gjykatë
Sipas praktikave ndërkombëtare, një koordinator sigurie duhet të shërbejë si pika lidhëse mes gjykatës, policisë dhe institucioneve të tjera. Në Shqipëri, ky rol do të mund të caktohej nga administrata gjyqësore, duke pasur autoritet për të koordinuar protokollet e sigurisë dhe reagimin emergjent.
IV. Kryerja e auditimeve periodike të jashtme
Në sistemin gjyqësor shqiptar mungon një mekanizëm i pavarur vlerësimi. Auditimet nga ekspertë të jashtëm (kombëtarë ose ndërkombëtarë) do të garantonin matjen objektive të progresit, transparencë dhe identifikim të boshllëqeve. Kjo praktikë është theksuar nga Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore në SHBA si thelbësore për ruajtjen dhe mbajtjen e standardeve gjatë gjithë kohës.
VI. Bashkëpunimi ndërinstitucional
Siguria nuk është vetëm detyrë e gjykatës. Përvoja ndërkombëtare (NSA) tregon se bashkëpunimi i ngushtë mes gjykatave, policisë, shërbimeve shëndetësore, emergjencave civile dhe institucioneve të tjera është thelbësor. Në Shqipëri, ky bashkëpunim është shpesh sporadik dhe i paformalizuar, për rrjedhojë nevojitet protokoll bashkëpunimi i detajuar. Kur them bashkëpunim ndërinstitucional përfshij këtu edhe angazhimin real të institucioneve përgjegjëse për hartimin e projektbuxhetit të shtetit dhe miratimin e buxhetit.
VI. Edukimi i publikut mbi rregullat e sigurisë
Shumica e incidenteve në gjykatat shqiptare ndodhin për shkak të mosnjohjes së rregullave nga qytetarët. Programet e ndërgjegjësimit publik, si fletëpalosje, udhëzues vizualë në hyrje, njoftime elektronike dhe bashkëpunim me median, janë praktika ndërkombëtare që mund të përshtaten në Shqipëri. Kjo rrit respektimin e rregullave dhe ul tensionet.
Në këtë proces, media luan një rol vendimtar. Ajo duhet të jetë partner në informim, jo faktor presioni, të ndërtojë besim publik, jo paragjykim. Në vend të gjuhës denigruese apo të titujve sensacionalë, media duhet të ofrojë informacion edukues mbi rolin e gjyqësorit dhe të verifikojë informacionet që transmeton. Vetëm përmes një media të përgjegjshme dhe profesionale mund të ngrihet kultura e respektit ndaj drejtësisë, duke ndihmuar publikun të kuptojë se gjykatat janë institucione të shenjta të ligjit, jo arena për linçim publik.
Ndaj, është detyrë e çdo institucioni, çdo qytetari dhe çdo gazetari të kontribuojë për ngritjen e një fryme të re bashkëpunimi dhe respekti ndaj drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një sistem gjyqësor të fortë, të sigurt dhe të respektuar, ashtu siç e meriton vendi ynë.
Për ta përmbyllur, ritheksoj se ngjarja e 6 Nëntorit nuk duhet të mbetet vetëm një kujtesë e dhimbshme, por një moment zgjimi kombëtar për drejtësinë shqiptare. Siguria në gjykata nuk është privilegj i gjyqtarëve, është kusht themelor për ekzistencën e shtetit të së drejtës. Pa gjykata të sigurta, nuk ka pavarësi, nuk ka drejtësi dhe nuk ka shpresë./K.C/dritare.net

















