
Tirana bëhet qendra e sigurisë kibernetike: Nis Konferenca e 3-të e NATO-s
Dritare.net
Shqipëria mirëpret sot Konferencën e 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s (NATO Cyber Defence Conference), një nga ngjarjet më të rëndësishme të Aleancës që i kushtohet sigurisë dhe mbrojtjes në hapësirën digjitale.
Në këtë konferencë të nivelit të lartë marrin pjesë delegacione nga 32 vendet anëtare të NATO-s, të përfaqësuara nga ministritë e jashtme, të mbrojtjes, si dhe ambasadorë kibernetikë.
Ngjarja synon të shërbejë si një platformë strategjike për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e politikave të përbashkëta për mbrojtjen kolektive përballë kërcënimeve gjithnjë e më sofistikuara në hapësirën kibernetike.
Gjatë ditëve të konferencës, pjesëmarrësit do të diskutojnë për sfidat e sigurisë digjitale, mbrojtjen e infrastrukturave kritike, bashkëpunimin ndërkombëtar në rast sulmesh kibernetike, si dhe për teknologjitë e reja në shërbim të mbrojtjes kolektive.
Organizimi i këtij eventi në Tiranë konfirmon rolin në rritje të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike dhe angazhimin e saj si vend anëtar i NATO-s për të kontribuar në forcimin e qëndrueshmërisë dixhitale të Aleancës./K.C/dritare.net

















