
Debati për nderimin e ish-diktatorit, Peleshi kërkon ndjesë!
Dritare.net
Në hapje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kërkoi ndjesë për debatin e shkaktuar pas publikimit të një dokumenti zyrtar ku, mes figurave kombëtare, ishte përfshirë edhe ish-diktatori Enver Hoxha. Polemikat u ndezën pasi dokumenti, i shpërndarë disa ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, nderonte edhe Hoxhën, udhëheqësin e regjimit komunist që për gati gjysmë shekulli izoloi vendin, shtypi të drejtat e njeriut dhe shkaktoi mijëra viktima.
Peleshi sqaroi se përshkrimi ishte marrë pa interpretim nga “Fjalori Enciklopedik i Shkencave të Shqipërisë”, por mënyra e paraqitjes së materialit kishte krijuar perceptime të gabuara dhe kishte nxitur shqetësim në opinionin publik.
Në fjalën e tij, ai theksoi se periudha e komunizmit duhet trajtuar me kujdes dhe se qëllimi i dokumentit nuk ishte të vlerësonte apo të nderonte asnjë figurë të veçantë, aq më pak Enver Hoxhën.
"Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua të shpreh keqardhjen edhe ndjesën për keqkuptimin dhe perceptimin e krijuar pavarësisht qëllimit të thjeshtë të këtij materiali, pa pasur parasysh të mbrojë apo të vlerësojë ndonjë figurë të veçantë, aq më tepër për Enver Hoxhën i cili është përmendur vetëm për shkak të vitit të lindjes.Teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik i shkencave të Shqipërisë, por me sa rezultoi nga shërbimet përkatëse nuk është mbajtur siç duhet teksti. Mënyra e prezantimi të këtij materiali ka krijuar perceptimin e gabuar dhe ka nxitur shqetësim. Ajo periudhë nuk duhet kujtuar në mënyrë të kujdesshme." - u shpreh Peleshi./K.C/dritare.net

















