
Orinda Huta flet hapur: Kërcënohem nga daja për pronat, por drejtësia s’mund të kërkohet me armë
Dritare.net
Moderatorja e njohur Orinda Huta ka shkruar në rrjetet sociale për ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri gjatë një seance gjyqësore.
Në postimin e saj, Orinda shprehet e tronditur nga krimi, por edhe nga mënyra si një pjesë e opinionit publik ka reaguar pas ngjarjes. Ajo e quan “të pabesueshme” që disa njerëz justifikojnë apo duartrokasin një akt të tillë dhune.
“Vrasja e tmerrshme e gjyqtarit (ndjesë pastë) është kambanë alarmi jo vetëm për ngjarjen, por edhe për reagimin e njerëzve më pas. Nuk e besoj dot që njerëzit duartrokasin një veprim kafshëror,” shkruan Orinda.
Moderatorja ndalet edhe te përvoja e saj personale me sistemin gjyqësor, duke treguar se është përfshirë në një proces për tokat e trashëguara nga nëna e saj, që zgjat prej 15 vitesh pa marrë ende zgjidhje.
“Unë jam vetë pjesë e një procesi gjyqësor që zgjat prej 15 vitesh e nuk i jepet zgjidhje... janë tokat e mamasë sime dhe do t’i marr njësoj, siç u takojnë të gjithëve që janë pjesëtarë. Në këto vite kam marrë shpesh kërcënime nga të ashtuquajturit ‘daja’, pse po kërkoja të drejtën e familjes sime,” shkruan ajo.
Në fund, Orinda Huta apelon për reflektim dhe dënon çdo formë justifikimi të dhunës: “E njoh mirë frustrimin e proceseve të gjata pafund, por që të biesh dakord me krimin e ta vlerësosh... KY ËSHTË FUNDI.”/K.C/dritare.net

















