
Të ardhura nga trafiku i drogës, sekuestrohet Rich Hotel në Pogradec, 7 prona të tjera dhe 6 makina! Pronari: Punoj si kamarier
Dritare.net
Një sërë pasurish të tundshme dhe të patundshme janë sekuestruar sot në Pogradec me vendim të Prokurorisë së Korçës. Hetimet kanë zbuluar se pronat, të regjistruara në emër të familjes Buliçka, dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës në Spanjë dhe Itali nga Edri Buliçka.
Hetimi kishte nisur që në vitin 2022 dhe është finalizuar sot me bllokimin e hoteleve, apartamenteve, bizneseve dhe automjeteve të familjes.
Ndër pasuritë e sekuestruara bie në sy hoteli “Rich” në Pogradec, me sipërfaqe 152.5 m2, dy apartamente, disa truallë me sipërfaqe të konsiderueshme, një biznes shit-blerjeje makinash, një servis makinash dhe 6 automjete.
Sipas Prokurorisë, Edri Buliçka ka deklaruar se punonte si kamarier në fshatin Udënisht, por verifikimet treguan se ai nuk ka qenë asnjëherë i punësuar, dhe regjistrimi i tij ishte fiktiv. Po kështu, nëna e tij, Edlira Buliçka, kishte hapur një aktivitet “shitje online” në dhjetor 2021, i regjistruar me adresë shtëpie, por që nuk justifikon të ardhurat e përfituara.
Organi i akuzës thekson se të ardhurat reale të Edri Buliçkës vinin nga trafiku i drogës në Itali dhe Spanjë, të cilat më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese familjare. Transaksionet bankare të kryera ndër vite paraqesin shuma të mëdha në lek dhe valutë të huaj, për të cilat nuk ka burim të ligjshëm.
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar të gjitha asetet që mund të jenë të lidhura me aktivitetin kriminal të dyshuar./L.F-dritare.net

















