Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

84 vjet nga Konferenca e Pezës

16 shtatori shënon përvjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve të rëndësishme të historisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Konferenca u mbajt më 16 shtator 1942 në Pezë, pranë Tiranës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga krahina, besime fetare dhe rryma të ndryshme politike.

Në këtë kuvend morën pjesë rreth 20 delegatë, të cilët përfaqësonin shtresa dhe bindje të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Ndër pjesëmarrësit ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço.

Partia Komuniste e Shqipërisë u përfaqësua nga Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.

Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba, ndërsa Mustafa Gjinishi mori detyrën e sekretarit.

Në qendër të diskutimeve ishte nevoja për organizimin e një lufte të përbashkët kundër pushtuesve fashistë. Nga kjo përpjekje për bashkëpunim politik dhe ushtarak do të merrte formë më pas Fronti Nacional-Çlirimtar.

Konferenca u zhvillua në një periudhë kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin italian dhe Lufta e Dytë Botërore kishte përfshirë pjesën më të madhe të Evropës. Delegatët shprehën nevojën për bashkimin e forcave shqiptare përballë pushtuesve dhe për zhvillimin e rezistencës.

Një prej parimeve kryesore të konferencës u përmblodh në thirrjen për bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje, duke synuar afrimin e forcave të ndryshme shqiptare në luftën kundër okupatorit./L.F-dritare.net