Na ndiqni edhe në

Bota

Bosët e teknologjisë kërkojnë të frenohet AI, Trump: Po bëni lojën e Kinës!

Drejtuesit e disa prej kompanive më të fuqishme të Inteligjencës Artificiale po bëjnë thirrje për ngadalësimin e zhvillimit të teknologjisë, për t’u dhënë kohë masave të sigurisë që të ecin me të njëjtin ritëm. Por presidenti amerikan Donald Trump ka dalë fuqishëm kundër tyre, duke e cilësuar debatin si pjesë të një “komploti të sëmurë” kundër Inteligjencës Artificiale dhe qendrave të të dhënave.

Gjithçka nisi të shtunën, kur drejtuesi i Anthropic, Dario Amodei, publikoi një ese të gjatë ku kërkoi që industria të ngadalësojë zhvillimin e modeleve më të avancuara të AI-së. Sipas tij, teknologjia po përparon me një shpejtësi të tillë sa masat e sigurisë rrezikojnë të mbeten pas. Ai propozoi një plan me tri hapa që do t’u jepte kompanive dhe institucioneve më shumë kohë për të monitoruar dhe menaxhuar rreziqet.

Thirrja e Amodeit mori menjëherë mbështetjen e disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë. Elon Musk tha se “Dario ka të drejtë”, ndërsa drejtuesi i OpenAI, Sam Altman, u shpreh gjithashtu në favor të ngadalësimit të ritmit. Edhe Demis Hassabis, një nga figurat kryesore të Google DeepMind, mbështeti idenë. Kompanitë e mëdha të AI-së kanë diskutuar gjithashtu mundësinë e krijimit të një organizmi të përbashkët që do të vendoste standarde sigurie për modelet më të avancuara.

Këto deklarata shkaktuan reagim edhe në tregjet financiare. Aksionet e kompanive të lidhura me Inteligjencën Artificiale dhe prodhimin e çipave ranë të hënën, ndërsa investitorët u shqetësuan për pasojat që një ngadalësim i zhvillimit të AI-së mund të kishte mbi kërkesën dhe investimet në sektor.

Por presidenti Donald Trump reagoi ashpër ndaj thirrjeve të drejtuesve të teknologjisë. Në një postim në Truth Social, ai tha se SHBA-ja ka tashmë fuqi të mëdha penale dhe rregullatore për të ndërhyrë ndaj kompanive të Inteligjencës Artificiale kur është e nevojshme.

“Ka një komplot të SËMURË kundër AI-së dhe qendrave të të dhënave dhe i vetmi që është i lumtur për këtë është Kina”, shkroi Trump. Ai shtoi se “i vetmi kontroll apo ‘barrierë sigurie’ që i duhet AI-së është një PRESIDENT I FORTË DHE I ZGJUAR”, duke iu referuar vetes.

Trump sulmoi drejtpërdrejt edhe Dario Amodein, duke thënë se administrata e tij ka ndërhyrë tashmë për të ndaluar njerëz të industrisë së AI-së që të bëjnë gjëra “të këqija ose potencialisht të këqija”. Duke përmendur kreun e Anthropic, Trump tha se Amodei tani po përpiqet të paraqitet si një “engjëll i vogël i përsosur”.

Në qendër të kundërshtimit të Trumpit është edhe gara teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës. Presidenti amerikan argumenton se frenimi i zhvillimit të Inteligjencës Artificiale në SHBA mund t’i japë Pekinit mundësinë të arrijë ose të kalojë amerikanët në këtë teknologji./K.C/dritare.net