Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Alarm i rremë për terrorizëm në shkollën Edit Durham, arrestohet 47-vjeçari

Një 47-vjeçar është arrestuar nga specialistët e Njësisë Antiterror, pasi dyshohet se ka dhënë një informacion të rremë për praninë e lëndëve të rrezikshme në shkollën 9-vjeçare në Tiranë “Edit Durham”.

Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 06:30, shtetasi me inicialet M. J., 47 vjeç, telefonoi Policinë e Tiranës dhe pretendoi se në një shkollë 9-vjeçare kishte lëndë të shkatërrimit në masë dhe rrezik terrorizmi.

Pas sinjalizimit, në shkollë shkuan shërbimet e Policisë, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror, të cilat kryen kontrollet dhe verifikimet e nevojshme. Nga kontrollet rezultoi se informacioni ishte i rremë dhe në shkollë nuk kishte lëndë të tilla të rrezikshme.

Gjatë hetimeve, autoritetet dyshojnë se 47-vjeçari e ka publikuar edhe në rrjetet sociale informacionin e rremë, duke shkaktuar alarm.

M. J. u arrestua për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme./L.F-dritare.net