Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

13 vite pa Sokol Olldashin, flet nëna e tij!

13 vite pa Sokol Olldashin, flet nëna e tij!

Kanë kaluar 13 vite nga aksidenti tragjik që i mori jetën Sokol Olldashit, por kujtimi i tij mbetet ende i gjallë te familjarët dhe njerëzit e afërt. Nëna e tij, Kozeta Mamaqi rrëfehet në emisionin ‘Pa Komplekse’ nga Elion Kollçaku në bashkëpunim me Dritare TV. Ajo flet për dhimbjen që e mbylli në shtëpi për vite me radhë.

“Dy vjet e gjysmë nuk dola nga pragu i shtëpisë. Kisha një libër me tregime në kompjuter. Ka mbetur aty siç ka qenë, sepse mua më është tharë shpirti”, thotë ajo.

Sot forcën e gjen te nipërit, djemtë e Sokolit. I vogli sapo ka mbushur 24 vjeç dhe i madhi 26. Të dy kanë nisur punë. “Janë çuna të mirë, janë çuna me zemër, janë çuna që të japin dashuri”, thotë ajo. Flet me mirënjohje edhe për nusen, pedagoge në universitet, e cila sipas saj ka punuar jashtë mase për t’i rritur fëmijët.

Për hyrjen e të birit në politikë, nëna pranon se nuk u gëzua. Arsyeja ishte përvoja e rëndë e familjes. “Babai im ishte në politikë, ishte anëtar i Komitetit Qendror, ishte kryeredaktor i ‘Zërit të Popullit’ dhe u quajt armik për kot. Nuk kisha dëshirë, që është e vërteta. Mirëpo jeta mori rrjedhën e vet”, rrëfen ajo.

Kujton edhe rrugën e Sokolit në gazetari. Ai kishte mbaruar për jurisprudencë dhe nisi të punonte në Agjencinë Telegrafike Shqiptare që kur ishte student. Më pas u bë kryeredaktor në ATSH dhe zëvendëskryeredaktor te gazeta “Albania”. Sipas saj, kandidimi i tij i parë u bë pa dijeninë e tij. Ajo vetë e mësoi lajmin nga radioja.

Nëna kujton botën shpirtërore të Sokolit përmes një momenti nga vitet e internimit në Selenicë të Vlorës. Atje u lexonte letërsi fëmijëve të saj dhe të motrës. Një ditë po u lexonte poemën “Pavli i vogël” të Hygoit. “Dëgjoj një nga fëmijët që po qante me ngashërim. Ngre kokën dhe ishte Koli. Ky është shpirti i Kolit”, thotë ajo. Shton se ai i binte violinës, mësoi vetë kitarën, shkruante poezi, përkthente dhe lexonte shumë.

E pyetur se çfarë do t’i thoshte nëse do të kishte edhe një moment me të, nëna përgjigjet: “Do t’i thoja: shpirt, të dua shumë, të dua pafund.” Ajo shton se “nuk ka dashuri më të madhe sesa dashuria e nënës për fëmijën”.