Na ndiqni edhe në

Arkiv

10 udhëtimet e Dritares në 2019

10 udhëtimet e Dritares në 2019

Dritarja e lajmeve të mira, kështu kemi pëlqyer ta identifikojmë ne veten. Ndaj përgjatë këtij viti jemi munduar t'i përmbahemi këtij qëllimi, duke treguar jo vetëm njerëz të mrekullueshëm, por në mënyrë të veçantë për vende të mrekullueshme, me të cilat Shqipëria është e mbushur plot. Vetëm që ta besosh duhet t'i vizitosh. Ndaj rrugëtimin tonë përgjatë 2019 në vende të njohura e të panjohura, që nga gjiret e thella të plazheve të Jugut, në fshatrat e Vlorës, në Kullën e Artë në Razëm, në malet e Tropojës, Beratin e një e mbi një dritareve, në Kolonjë e Korçë, duam t'jua risjellim edhe një herë në vëmendje. Kjo është lista e 10 destinacioneve të Dritare.net, në Shqipëri.

Razëm

U bindëm t'i quanim fundjavat e dimrit si në përralla, pasi udhëtuam në Razëm, pak larg qytetit të Shkodrës. Ç'tju themi më parë për këtë vend? Ne shijuam fundjavën si askund tjetër, në Kullën e Artë.

Aty ku bëhen bashkë të gjitha të mirat. Si një kartolinë ishte pamja që shijoje përtej dritareve të drunjta.

E ndërsa brenda shijonim ushqimet tradicionale, pranë oxhakut me dru. Mbi të gjitha u bindëm se mikpritja malësore, është e pakrahasueshme. (lajmi këtu).

Tropojë

Nëse mendoni se kjo është një pamje kapur diku në malet e Zvicrës, gaboheni. Është në Tropojë, perlën e Alpeve shqiptare. Ashtu siç na e përshkruan Fjorda, një vend me histori, tradita, bukuri natyrore, e mbi të gjitha me njerëz mikpritës e me zemër të madhe.(lajmi këtu).

Ulzë

Ulza, perla e fshehur e natyrës, një orë e gjysmë larg Tiranës. Bukurinë e liqenit, e shijon më së shumti, në Kullën e Vjetër, që mendohet të jetë rreth 200-vjeçare. Fjorda i shëtiti në një ditë, gjithë zonën me natyrë piktoreske, si ato që shpesh i kemi parë vetëm në kartolina.(lajmi këtu)

Shëngjergj 

Këtë herë, Fjorda qëndroi në kryeqytet. Sepse në Tiranë, nuk ka dëborë vetëm në Dajt. Ndaj ne duam t'ju tregojmë për vende jo shumë të njohura, që nuk janë në 'top-listën' e udhëtimeve, por që fshehin bukuri të rralla.

Si në Shëngjergj, rreth një orë e gjysmë larg Tiranës. Është destinacioni perfekt, për ata që duan të argëtohen, të lënë makinat e të marrin rrugën në këmbë. Shkoni e shijoni, se Tirana nuk është vetëm Blloku i zhurmshëm, me lokale e pube, por është edhe Shëngjergji i traditave e natyrës së mrekullueshme.(lajmi këtu).

Berat

Pas vizitës në qytetin e gurtë, vendosëm të mos e quajmë më Beratin e një mbi një dritareve, por qytetin e një mbi një bujtinave.

Ato ndërtesat që dikur bënin kartolinën, sot bëjnë turizmin.

Është i mbushur me muze, por ne treguam për atë më të veçantin, në zemër të qytetit, Muzeun Hebre. (lajmi këtu)

Ersekë

Për çdo muaj sugjeruam nga një vend. E për vjeshtën e artë zgjodhëm Kolonjën. Aty ku në mëngjes zgjohesh nga cicërimat e zogjve, zhurmat e natyrës, aromat e petullave e gjalpit të shtëpisë. Me njerëz gëjëmbël e punëtorë.

Kolonja i ka të gjitha, e vetmja që i mungon është vëmendja, ndaj nëse këtë vit nuk shkove, në 2020 vizitoje patjetër. Dhe mos prit që në vjeshtë. (lajmi këtu). 

Fshati Vajzë

Fshatin vajzë në Vlorë, nuk e dallon nga ndonjë lokal i bukurr, ndërtesa apo tabela. Fshati të mirëpret me poezinë e Ali Aslanit, poetit dhe djalit të kësaj zone.“Fshat o fshati im i bukur, fshati im hane, hane, fshati që s’paska një të dytë, në këtë mavri jallane.” Me siguri keni shëtitur kafene plot, po si kjo te Shpella e Vajzës, e gjitha e improvizuar brenda një shpelle të vjetër, rrethuar nga një liqen artificial, përbri të cilit është baxhoja me djathë deleje dhe fuçitë me rrush që presin të bëhen raki, nuk keni parë.

Është vetëm 24 kilomentra nga Amantia, ndaj kur të shkosh këtë vit në Vlorë, mos harro të ndalosh edhe në Vajzë.(lajmi këtu)

Gjiri i Gramës

Në mes dhjetëra gjiresh, në plazhet e jugut të Shqipërisë, që përveç ca investimeve, nuk kanë asgjë më pak se ato të Greqisë, treguam për atë që mbase pak e njohin, Gjirin e Gramës. Qetësi që thyhet vetëm nga zhurmat e natyrës, me një pamje piktoreske.

Të huajt e kanë zbuluar para nesh, ndaj këtë vend e mësuam prej tyre, e po jua tregojmë, se është një mrekulli e natyrës shqiptare. (lajmi këtu).

Shtegu i Mullinjve në Dhërmi

I rrethuar nga lloj-lloj pemësh, ullinj, qiparis, pisha dhe një zhurmë uji, në këtë shteg zor se sheh njeri ta vizitojë.

Kërkon kohë, po ke ç'të shohësh, përveç pamjeve të zakonshme të plazheve më të njohura të jugut. (lajmi këtu)

Në Sazan me peshkatarët e peshkaqenëve

Ky ishte padyshim një ndër udhëtimet më të veçanta të dritare.net këtë verë.

Një eksperiencë ndryshe, ku djemtë tanë kaluan 24 orë në det, me peshkatarët e peshkaqenëve.

Një udhëtim i gjatë, i rrezikshëm, por ashtu edhe siç kish paralajmëruar kapiteni Arben Aliaj i paharrueshëm. Një histori ekskluzive, nga dritare.net. (lajmi këtu).

Përgatiti Lorena Fjolla, Dritare.net.