Rrini ju! Nona bën qejf në Shëngjergj

Nga Fjorda Llukmani

Këto ditë të ftohta dimri, të gjithë janë në kërkim të borës. Sidomos ne që jetojmë në Tiranë që s’na bie rasti të shohim bardhësi përveçse në Dajt. Në Facebook shoh një grup që organizonte udhëtim në Liqenin e Lepurit, në Shëngjergj.

Nga fotot dukej që kishte ngrirë komplet liqeni dhe isha kurioze ta shihja nga afër.

Shëngjergji është fshat që ndodhet pas Dajtit, rreth 1 orë e gjysmë larg Tiranës. Njëra prej gjysheve të mia ka lindur në Shëngjergj dhe ka jetuar aty deri në moshën 15-vjeçare.

Në një farë mënyre më dukej sikur po vizitoja rrënjët e origjinës sime. Madje nona më ka dhënë një libër që flitet gjatë e gjerë për fshatin. Me dialektin e tyre, tironsat e quajnë Shënjergj.

Bashkë me grupin u nisëm me një makinë fuoristradë, pasi prej borës është e pamundur kalimi me mjete të tjera.

Sapo kaluam guroren e Qafë Priskës, liqeni i parë kishte ngrirë komplet.

Borë dynjaja! Isha veshur trashë, por jo fiks me rrobat e duhura për ecje në dëborë. Kur ndaluam në qendrën e fshatit, vesha pantallonat e skive. Tani guida më dha një palë këpucë që më ndihmuan mos të më lageshin prej borës.

Futem në një dyqan për të blerë çokollatë. Shitësja na pa të veshur deri në brez edhe më pyeti: “Ku po shkoni mre ju keqen nona? Ke liqeni Leprit eee?”

Më erdhi për të qeshur nga dialekti i saj. “Po none jemi nis për te liqeni.”,-i them unë.

“Qyqa po atje është larg ç’doni deri atje? Kam gjithë jetën që jetoj këtu edhe s’kam qenë kurrë në liqen.”,-më përgjigjet ajo. Aty më kapi mosbesimi nëse do e bëja dot apo jo ngjitjen në mal.

Koha ishte me diell dhe goxha ngrohtë. E nisim tripin tonë me pak streçing. Shoqja ime Alba që bën pilates na ndaloi në një peizazh të bukur me dëborë e na bëri pak ushtrime. Ajo fliste ne ndiqnim hapat e saj. Filluam ecjen.

Kushdo që na shikonte rrugës na përshëndeste edhe pse nuk njiheshim. M’u kujtua nona që më ka thënë se shëngjergjasit janë shumë mikpritës e njerëz të zgjuar. Kjo sepse flitet që shkolla e parë shqipe në Tiranë është hapur këtu.

Themelet e saj gjenden në malin Skrep të Shëngjergjit. Prej kësaj thonë që njerëzit e asaj zone janë dashamirës të arsimit dhe lexojnë shumë.

U përshëndeta me dy gra. Pastaj me disa fëmijë me çantë në krah. “Ku po shkoni me çanta more se sot është dhe ditë e shtunë s’ka shkollë?”,- i pyes unë. “Po shkojmë te kursi i anglishtes!”,-më përgjigjet një çun i vogël simpatik.

Aty m’u mbush mendja me të vërtetë që kjo zonë ka dëshirë të arsimohet. Për më tepër m’u bë qejfi që edhe pse rruga me dëborë, shkonin në kurs. Nejse, bora dukej gjë e madhe për ne përtacët e qytetit, atyre s’u bën përshtypje.

Sa më lart ngjiteshim aq më shumë borë kishte. Të vetmet ngjyra që më zunë sytë ishin disa rroba të ndera në tel.

LEXO DHE :  Fruthi e bën sistemin imunitar të harrojë mbrojtjen kundër sëmundjeve të tjera

Ec e ndalo, ec e ndalo… Një moment kur bora filloi të vinte deri te gjuri, guida Tani po më tregonte ca gjurmë lepuri. “Uaaa paska edhe gjurmë ujku, shihe ka ndjekur lepurin gjithë kohës!”,-tha ai.

Hodha sytë lart e poshtë e i thashë vetes: “Po të doli diçka para vetëm rri pa lëvizur.” Gjoja unë duke ecur me mendimin se ‘nëse nuk e ngacmon diçka nuk të ha’. Tani na sqaroi se kafshët e egra dalin natën, kështu që s’ka asgjë për të pasur frikë.

Pas 3 orësh ngjitje arrijmë te Liqeni i Lepurit. Ndodhej 1300 metra mbi nivelin e detit, pranë disa pishave në mal. Komplet i mbuluar nga bora ama.

Nuk tentuam të shkonim në mes se mund të ishte e rrezikshme. Kuptohej kollaj ku gjendej diga edhe forma rrumbullake e liqenit. Atje lart frynte një erë që ç’t’ju them! Bora merrte formën e dunave në shkretëtirë. Prej erës lëviznin grimcat e dëborës ashtu siç lëviz rëra. S’kisha parë kurrë imazh të tillë.

U fshehëm te pishat për të ngrënë drekë. Me siguri e them ndër pamjet më të veçanta që më ka ndodhur të drekoj.

E lodhur ulem mbi dëborë pa e çarë kokën nëse do të lagesha. Bora mori formën time, e dukej sikur u ula në kolltuk enkas për mua. Bëmë dhe disa foto me grupin e filluam zbritjen.

Përsëri takonim e përshëndesnim njerëz rrugës. Ndaluam dhe në një mulli gruri që punonte akoma me rrymën që i sillte rrëkeja e lumit.

As këtë s’e kisha parë ndonjëherë! Rastësia më e madhe më ndodhi kur ndaloj të bisedoj me dy persona.

Fotografi i grupit Valteri me shaka më thotë: “Pyeti një herë se mos dilni kushërinj!” “Pse nga je ti mi gocë?”,-ma kthejnë ata. “Kam gjyshen nga Shëngjergji i them, me këtë mbiemër, mbase e njifni”,- i them prej së largu.

“Ca e ke filan fistekun?”,- thotë ajo. “E kemi kushëri!”,- i them unë. Kur personi tjetër që e shoqëronte filloi duke më bërë pemën e familjes. “Ooo ti je goca e doktoreshës që kemi pas punu te kampi i punëtorëve në Dajt.” Duke qeshur i them: “Doktoresha është tezja ime, unë jam goca e zyshës”.

“Po ça thu mi me mamin tat kemi punu kur ishim adoleshent, eeehh çfarë kohësh. Do t’i bësh shumë të fala, shkruaje emrin tim se më mban mend me siguri!”,-më kthejnë përgjigje ata. Edhe në të vërtetë kur I thashë mamasë e njihte mjaft mirë.

Kthehem nga Shëngjergji duke i përsëritur vetes atë që i them gjithmonë: “ Bota (Shqipëria) është shumë e vogël”. Mjafton të dish të komunikosh e t’u afrohesh njerëzve, se me disa prej tyre del fis ose të njohur. Mezi pres të kthehem përsëri në Shengjergj. Ku i dihet mbase herën tjetër shikoj dhe shtëpinë ku ka lindur gjyshja ime.

p.s: Disa nga fotot janë shkrepur nga miku im Valter Zhara, se të ishte për mua s’do e kisha mendjen për foto./dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP