Prokuroria e Romës kërkon burg përjetë për vrasësin e Ilaria Sulës
Dritare.net

Prokuroria e Romës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm ndaj Mark Antony Samson, i cili akuzohet për vrasjen e ish-të dashurës së tij shqiptare Ilaria Sula, ngjarje e ndodhur në mars të vitit të kaluar.
Sipas akuzës, Samson përballet me dy vepra penale të rënda: vrasje me paramendim dhe fshehje të kufomës. Gjatë seancës për argumentet përfundimtare, prokurorët deklaruan se ngjarja ishte planifikuar më herët dhe se viktima “u ekzekutua ftohtësisht”.
Zëvendësprokurori Giuseppe Cascini u shpreh se bëhej fjalë për një akt tërësisht të menduar dhe pa asnjë ndjenjë mëshire nga i pandehuri. Sipas tij, viktima u godit fillimisht me grushte dhe më pas me thikë, ndërsa pas krimit, Samson vijoi jetën normalisht, madje doli për të ngrënë në një lokal.
Trupi i pajetë i Ilaria Sulës u gjet më 2 prill 2025, i futur në një valixhe të hedhur në një zonë të pyllëzuar pranë Poli-t. Hetimet zbuluan se pas zhdukjes së saj, i pandehuri kishte përdorur telefonin e viktimës dhe kishte bërë postime nga profilet e saj në rrjetet sociale, me qëllim shmangien e dyshimeve.
Prokuroria e Romës pritet të vijojë me procedurat gjyqësore, ndërsa kërkesa për burgim të përjetshëm mbetet masa më e rëndë e kërkuar në këtë proces./K.C/dritare.net