Ju tregoj Shtegun e Mullinjve në Dhërmi, që i la anglezët pa këpucë!

Nga Ani Jaupaj

Këtë verë e kalova të gjithën në Dhërmi. Ditët e para të qershorit kishte vetëm turistë anglezë. Të gjithë të rinj. Edhe pse shumicën e kohës ishin të dehur, nuk përtonin të lëviznin. I kishin atletet të pluhurosura, ngjyrë dheu, sa herë ktheheshin pas ca orësh nëpër dhoma. Kur shkova për herë të parë te Shtegu i Mullinjve, kuptova që ngjiteshin atje, ndaj edhe pluhuroseshin deri te flokët.

Shtegu ishte më i bukur se ç’qe reklamuar në videot që e prezantuan të rikonstruktuar. Sepse ka qenë ekzistues, më thanë vendasit. Këta të fundit, nëse nuk shohin euro nëpër duar, nuk e kanë shumë me qejf të japin informacione shtesë, për asgjë.

Shtegu kishte disa hyrje-dalje nga fshati, por pasi hyje në të, ngado të ishe, rrethoheshe nga lloj-lloj pemësh, ullinj, qiparis, pisha dhe një zhurmë uji që të vinte bashkë me zogjtë deri lart, në fshat (nëse e kishe nisur rrugën nga poshtë).

Shëtita nëpër shteg katër a pesë herë dhe nuk u ndesha me asnjë njeri të vetëm. Herën e fundit pash që kishte mbeturina dhe koshat e mbeturinave ishin thyer, pra dikush edhe shkon por me jo për shëtitje.

LEXO DHE :  Lëkundje tjetër tërmeti në Durrës

Gjatë këtyre tre muajve erdhën më takuan miq që më pyesnin se çfarë mund të bënin, diçka tjetër, përveç shtrirjes në shezlong apo një shëtitje me skaf. Iu propozova të gjithëve Shtegun e Mullinjve. Ngjitja dhe zbritja kërkonte e shumta, 1 orë e gjysmë. Asnjëri nuk shkoi. ‘Ohu, jo nga këto gjërat kështu mi, ndonjë gjë tjetër’. Nuk e kuptova çfarë nënkuptonte gjëja tjetër, por me siguri ndonjë emër restoranti. ‘Këtu nuk ke çfarë bën, do të rrish gjithë ditën shtrirë’. Mirëpo kjo nuk e justifikon përtacinë.

Kudo të shkosh me pushime nuk i ke gjërat që do të shohësh te krevati. Edhe aty, njëri nga të dy duhet të lëvizë. Ecën orë të tëra me tren, në këmbë, autobus a ç’të gjesh. Kishat e mullinjtë prej nga ka marrë emrin shtegu i Dhërmiut, askush nuk ka kohë t’i shohë. Kur u larguan, anglezët i lanë atletet aty se u ishin grisur./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.