Zjarri në Drizë del jashtë kontrollit. Evakuohen 11 familje dhe bllokohet rruga Cakran-Koshovicë
Dritare.net

Vijon beteja me flakët në zonën e Drizës, ku forcat zjarrfikëse, efektivë të policisë dhe helikopterë të Forcave të Armatosura po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit që ka përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore.
Zjarri ka nisur pranë vendit të quajtur “Azotiku”, në fshatin Drizë dhe më pas është përhapur drejt Qafës së Koshovicës, duke rrezikuar zonat pranë fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.
Për shkak të përmasave të flakëve dhe erës së fortë, policia ka evakuuar 11 familje, ndërsa vijon monitorimi i banesave dhe subjekteve të tjera që mund të rrezikohen. Në gatishmëri ndodhet edhe ekipi i urgjencës së spitalit.
Policia Rrugore ka bllokuar qarkullimin në segmentin “Qafa e Koshovicës-Cakran”, ndërsa po asiston në transportimin e mjeteve dhe pajisjeve zjarrfikëse në terrenin e vështirë.
Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të asfiksuar. Një banesë e përfshirë nga flakët është shpëtuar, duke pësuar vetëm dëme të vogla materiale.
Ndërkohë, dy persona janë shoqëruar nga policia si të dyshuar për shkaktimin e zjarrit, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të ngjarjes./dritare.net